Është inauguruar sot terminali i ri në aeroportin “Nënë Tereza”. Gjithashtu është është vënë në punë sistemi i ri teknologjik për leximin e pasaportave. Nga nesër, përfitues të këtij shërbimi do të jenë mbajtësit e pasaportës shqiptare, qytetarëve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë. Kryeministri Edi Rama nuk ka hezituar ti bëjë disa elozhe oligarkut më të madh shqiptar (edhe falë tenderave të qeverisë), Shefqet Kastrati, që ka me koncesion aeroportin e Rinasit.
“Sot është vënë në punë dhe sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave në hyrje falë angazhimit të ministrit të Brendshëm, policisë së Shtetit dhe kompanisë e cila që në ditën e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së re pasi bleu nga koncesionari i mëparshëm të drejtën e operimit, është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në këtë aeroport. Nga nesër, të gjithë qytetarët me pasaportë shqiptare që vijnë në aeroportin e Rinasit nuk do kenë lexim manual të pasaportës nga polici që i sheh në sy e sheh pasaportën, por do kalojnë në barrierën digjitale me leximin digjital, proces që zgjat më pak se gjysmë minuti. Kjo do të lehtësojë fluksin e hyrjeve. Kjo vlen edhe për qytetarët e BE, SHBA, Britanisë së Madhe e Kanadasë. Për të tjerët do ketë proces kalimi me lexim manual të pasaportës”, tha Rama.