
Qeveria do të mbulojë shpenzimet e prindërve që kanë fëmijë në kopsht, a shkollë në një distancë mbi 5 kilometra nga vendbanimi edhe në rastet kur drejtoritë rajonale të arsimit dështojnë ta sigurojnë këtë shërbim.
Sipas ndryshimit që i është bërë një vendimit të Qeverisë të vitit 2015, në rastet kur tenderat për sigurimin linjave të transportit për nxënësit dhe mësuesit e një shkolle mbi 5 kilometra larg vendbanimit, por më pak se 50 kilometra, nuk realizohet me sukses nga drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar, me autorizimin e kësaj të fundit, zyra vendore e arsimit parauniversitar siguron mbulimin e shpenzimeve për linjat e transportit të nxënësve dhe punonjësve të arsimit parauniversitar publik përfitues.
Paratë do të kalojnë nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, të kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve të arsimit parauniversitar publik përfitues, ose nëpërmjet shërbimit postar për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm.
Masa e shpenzimeve përllogaritet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të mësuesve, që janë paraqitur në punë, numrit të nxënësve, që kanë ndjekur mësimin, të çmimit të indeksuar me normën e inflacionit të biletës.