
Agjencia Shtetërore e Kadastrës zhvilloi një tryezë diskutimi për vlerësimin e riskut të integritetit të institucionit, një proces i rëndësishëm për forcimin e transparencës, rritjen e besueshmërisë dhe garantimin e shërbimeve më të sigurta për qytetarët.
Në tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizata të shoqërisë civile, noterë si dhe partnerë ndërkombëtarë.
Aktiviteti u realizua me bashkëpunimin e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si edhe me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Delegacionit të Bashkimit Europian, Cinzia Tarletti, të cilat theksuan rëndësinë e forcimit të integritetit institucional dhe domosdoshmërinë e përputhjes së reformave me standardet europiane.
Drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, theksoi se ndonëse përvoja e qytetarëve me kadastrën nuk është konsoliduar plotësisht, hapat që po ndërmerren sot janë të rëndësishëm për transformimin e institucionit.
View this post on Instagram
“Perceptimi jo gjithmonë pozitiv që ekziston kërkon punë, përkushtim dhe transparencë nga ana jonë. Por jam e bindur kur them se hapat që po hedhim sot janë solidë dhe mbi të gjitha janë një garanci e padiskutueshme për transformimin e Kadastrës në një institucion që u shërben qytetarëve, me standarde moderne dhe me fokus tek interesi i tyre”, u shpreh Goxhobelli.
Më tej, ajo theksoi rëndësinë e Planit të Integritetit të AKSH.
“Plani i Integritetit, një program konkret për identifikimin e riskut në çdo drejtori dhe sektor të institucionit synon të parandalojë çdo formë abuzimi apo padrejtësie”, theksoi ajo.
ASHK e konsideron këtë proces jo vetëm një detyrim ligjor, por mbi të gjitha një angazhim moral dhe institucional, në funksion të ndërtimit të një administrate moderne, efikase dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.