Fundjavë e zezë për Shqipërinë, në vetëm dy ditë kanë humbur jetën 5 persona, si pasojë e mbytjes dhe kontaktit me rrymën elektrike.
Një ditë më parë u mbytën në liqenin e Prushit në Tiranë. Vëllezërit Mateo Taku, 14 vjeç dhe Klevis Taku, 10 vjeç, po luanin bashkë me fëmijë të tjerë të zonës me një litar, të cilin e kishin lidhur në një pishë buzë liqenit. Ato kapeshin pas litarit dhe rrëshqitnin për t’u hedhur më pas në liqen. Trupat e pajetë të dy vëllezërve u nxorën nga liqeni nga polumbarët e forcave RENEA.
Pa kaluar ende 24 orë nga kjo ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik, nëna dhe dy vajzat e saj humbasin jetën në Fushë-Arrëz si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Kola. Nëna Prendushe Kola 42 vjeç së bashku me dy vajzat e saj Sidorela Kola 18 vjeç, Emiljana Kola 15 vjeç kanë humbur jetën pasi kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Ka qenë një nga vajzat e familjes Kola e cila ndërsa bënte dush ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa zëri dhe ulërimat e së motrës, bënë që vajza tjetër t’i shkonte menjëherë në ndihmë, por ka rënë në kontakt me energjinë elektrike menjëherë sapo ka prekur dorezën e banjës.
Ndërkohë që i njëjti fat i zi do të ishte dhe për nënën e dy vajzave e cila në tentativë për të larguar vajzat e saj nga rryma elektrike ka rënë në kontakt, duke humbur dhe ajo jetën.