"Pazari" i Kamzës mes PD dhe PS, Berisha justifikohet: Kompania ka blerë mjete moderne

9 Shkurt 2026, 17:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sali Berishën e pyetën për rritjen e biletave të transportit urban Kamëz-Tiranë, ku demokratët bashkuan votat me socialistët dhe votuan pro kërkesës së kompanisë “Shpresa-AL”.

Berisha tha se po e shqyrtojnë problemin dhe se është i informuar për këtë çështje që prek qytetarët që frekuentojnë këtë linjë.

Por ai e justifikoi veten, duke thënë se kompania ka ndryshuar mjetet e saj të transportit, të cilat, sipas tij, janë më moderne.

"Do ta shqyrtojmë përsëri problemin. Jam informuar për atë që ka ndodhur. Kompania ka ndryshuar mjetet e transportit, ka blerë mjete më moderne dhe mbi këtë bazë, nëse nuk gabohem, do të jemi më të informuar dhe do të reagojmë", tha Berisha.

Ju kujtojmë se bileta e transportit publik Kamëz-Tiranë, që nga 1 nëntori, kushton 50 lekë, nga 40 lekë që ishte më parë, ndërsa abonimi mujor është rritur në 14,000 lekë nga 12,000 lekë.

Operatori i linjës paraqiti një kërkesë për rritje të çmimit të biletës në Drejtorinë e Transportit të Bashkisë Kamëz, të mbështetur nga një analizë e detajuar e kostos dhe argumente ekonomike.

Dokumenti thoshte se rritja e çmimeve të karburantit dhe kostove operative e bën të domosdoshme rregullimin e tarifës aktuale.


Video