Numri dy i PD, Flamur Noka, ka denoncuar ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, se po ndërmerr vendime në funksion të interesave të oligarkut Klodian Allajbeu.
Reagimi i Nokës vjen pas urdhrit të fundit të firmosur nga ministrja, i cili parashikon uljen e numrit të punonjësve në Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr. 10 në Tiranë.
Përmes një postimi në Facebook, Noka deklaron se ministrja nuk po drejton sistemin shëndetësor në interes të qytetarëve, por po favorizon interesa klienteliste.
“Evis Sala nuk po drejton shëndetësinë, por po vepron për llogari të Klodian Allajbeut. Teksa lë mbi 100 mijë qytetarë pa mjekë specialistë, grumbullon dhjetëra mjekë në qendra ku mungojnë edhe ambientet edhe pacientët. Ky nuk është reformim i shërbimit shëndetësor, por manovrim në funksion të interesave klienteliste. Shqiptarët duan që shëndetësia t’u shërbejë atyre, jo klientëve të Edi Ramës”, shkruan Noka.
Urdhri i firmosur nga ministrja parashikon reduktimin e stafit mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr. 10 në Tiranë, duke e ulur numrin e mjekëve nga 43 në 37. Vendimi prek një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.

Shkurtimi i specialistëve në këtë qendër pritet të ndikojë në ngarkesën e shërbimit shëndetësor publik, duke rritur kohën e pritjes për qytetarët dhe duke shtuar nevojën për t’iu drejtuar spitaleve private.