Në gjendje të dehur dhe nën efektin e drogës, 40-vjeçari përplas makinën e policisë (EMRI)

20 Prill 2026, 12:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mishel Prela

Mishel Prela, 40-vjeç është arrestuar në Tiranë pas një ndjekjeje disa minutëshe nga Policia, pasi refuzoi t’i bindet urdhrit për ndalim dhe përplasi një automjet policie duke rrezikuar jetën e efektivëve.

Ngjarja u regjistrua në rrugën “Ibrahim Rugova”, ndërsa i dyshuari u kap në zonën e sheshit “Wilson”, ku rezultoi se drejtonte mjetin pa leje drejtimi, nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, ndërsa në automjet iu gjet edhe kokainë.

Njoftimi i policisë

Gjatë patrullimeve të shtuara gjatë fundjavës, me objektiva garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në rrugën “Ibrahim Rugova”, kanë konstatuar një shtetas që kryente manovra të rrezikshme me automjetin që drejtonte, dhe për këtë arsye i kanë bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të përsëritur të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes, përplasi automjetin e Policisë duke rrezikuar, jetën e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje, dhe në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit të koduar “Efekti”, kanë mundësuar kapjen pas disa minutash, te sheshi “Wilson”, dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit M. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kundërshtuar me dhunë, efektivët, dhe gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ai e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike dhe të alkoolit dhe pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Video