
Agjencia e Mbrojtjes Civile thotë se vendi ynë nuk ka hasur asnjë problem gjatë motit të keq këtë të premte, ndonëse në disa qytete janë përmbytur rrugët kryesore, dhe dhjetra fshatra nga Kruja deri në Shkodër kanë mbetur pa energji elektrike.
Pesë persona janë plagosur ndërsa një tjetër ka humbur jetën, në dy aksidente të ndryshme ku dyshohet të ketë ndikuar përveç gabimit njerëzor edhe moti i keq.
Prej mëngjesit në disa rrugë të vendit pati rrëshqitje dherash, ndërsa disa pemë u rrëzuan për shkak të erës së fortë, fatmirësisht pa persona të lënduar.
Sipas Mbrojtjes Civile, situata po shkon drejt normalizimit:
Situata drejt normalizimit në vend
Pas reshjeve me intensitet të lartë që prekën disa zona të vendit, situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit.
Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim.
Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki.
Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki.