'Mora paratë dhe ia ktheva'/ SPAK “i thur” dosjen ish-avokatit të Shtetit, ra në 'grackën' e Rrumit (Emri)

22 November 2022, 15:24Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

'Mora paratë dhe ia ktheva'/ SPAK “i thur” dosjen

Më kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar firmosi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. 

Në dosjen e hetimeve 2-vjeçare, prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Rrumit, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017. Rrumi shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. 

Ish-avokati i vënë nën hetim ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë. 

Si ra SPAK në gjurmët e ‘Rrumit të Shijakut’

Më 13 qershor 2017, dy persona u filmuan me një telefon celular teksa po negocionin një çmim për një proces gjyqësor pronësie. Në transkriptet e Prokurorisë së Posaçme, njëri prej personazheve të videos identifikohet si “zyrtari”, ndërsa tjetri si “i interesuari”. Dy burrat debatojnë mbi shumën e parave që nevojiten për të blerë tërheqjen nga apelimi për çështjen gjyqësore. “Zyrtari” është i pakënaqur nga oferta prej 5 milionë lekësh, ndërsa “i interesuari” i reziston kërkesës për të paguar më shumë.

“Unë u thashë… Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do themi nga 5 u bëka 12, duket sikur bëhem unë dallaverexhiu. Të besosh edhe m’u se nuk jam unë i zoti i punës,” thotë ai.
Sipas dokumenteve hetimore të siguruara nga BIRN, biseda në video zhvillohet mes zyrtarit Irgen Kërçuku, asokohe përfaqësues i Avokaturës së Shtetit për degën e Durrësit dhe Pëllumb Muharremit – një personazh i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, i njohur gjithashtu si Aleksandër Laho ose “Rrumi” – një nofkë që simbolizon kallirin e zhveshur të misrit.

Biseda mes tyre e regjistruar në video kishte si objekt procesin gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Videoja ra në duart e Prokurorisë së Posaçme pas atentatit të bujshëm ndaj Muharremit dhe prokurorit Arian Ndoja, i ndodhur pasditen e 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Njoftimi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.235 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kjo e fundit kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 259, 244, 248, 186, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. nr.76 datë 20.10.2022 ndërmjet të tjerave ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.).

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 409 datë 30.10.2021 ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 000 (dyqind mijë) metra katrorë që gjendet në zonën e quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.

Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, me vendimin nr.497, datë 18.11.2022, ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës. Vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.


Video