
Xhaxhai i Aleks Nikës ka folur pasi Prokuroria e Tiranës “zbarkoi” sot (25 janar) në shtëpinë e nipit të tij në Lezhë.
Martin Nika tha se çështja e 21 janarit është mbajtur në sirtar dhe audio përgjimin e plotë do e dorëzojnë vetëm në SPAK, pasi aty kanë besim.
“S’ka vullnet që çështja të hetohet. Është mbajtur në sirtar. Oficerët kërkuan kasetën e regjistrimit. Kasetën do ta japim vetëm në SPAK, aty besojmë”, tha xhaxhai i Aleks Nikës për News24.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme Mark Nika është takuar me kreun e SPAK, Altin Dumani, një takim që e kishte kërkuar vetë familja e Nikës.
Pas takimit ai u shpreh, se Dumanit i kërkoi që ta marrë SPAK në dorë çështjen e nipit të tij, pasi ata nuk kanë më besim te Prokuroria e Tiranës.
“Shkëndija” e madhe e rihapjes së hetimeve për 21 Janarin ishte pikërisht ai audio-përgjim i cili u bë publik nga gazetari Artan Hoxha në emisionin Zona Zero në Top News.
Ditën e sotme ndërkohë SPAK ka konfirmuar marrjen e padive nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputeti i PS, Damian Gjiknuri.