Zbulimi i ‘shtëpisë së barit’ në Shijak/ Fredi Krasniqi “kyç gojën”, i vëllai rezulton në Itali

25 Janar 2023, 12:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e Shijakut, ku Policia zbuloi gjatë ditës së djeshme një vilë 4-katëshe ku kultivoheshin bimë narkotike.

Në pranga ra Fredi Krasniqi, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij, Selman Krasniqi. Burime për mediat bëjnë me dije se ky i fundit sipas sitetmit TIMS rezulton që ndodhet në Itali.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje Fredi Krasniqi nuk ka pranuar të flasë, duke refuzuar të tregojë mbi pjestarët e tjerë të përfshirë.

“E mbaj burgun”, mësohet të ketë thënë Fredi Krasniqi para hetuesve.

Megaoperacioni “Krahët e krimit”  zbuloi dje pas një hetimi prej më shumë se tre muaj se në një vilë 4-katëshe kultivohej bimë narkotike. Banesa në pronësi të vëllezërve Fredi dhe Selman Krasniqi, dy katet i kishte për kultivim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë në një ambient me mur të dyfishtë policia ka gjetur një arsenal armësh konkretisht 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Hetuesit kanë dyshime të forta se pas këtij aktiviteti është i përfshirë një grup i strukturuar kriminal që operon në këtë zonë. Mësohet se janë të paktën 6 persona të tjerë të përfshirë në këtë grup, të cilët po mbahen në vëzhgim, identiteti i të cilëve mbahet i fshehtë për shkak të hetimeve.

Video