'Do t’i mbrojmë me gjak pronat'/ Banorët e Bërxullës protestë përpara Kryeministrisë kundër Gener 2 (Video)

25 Janar 2023, 10:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, banorët e Bërxullës dhe biznesmeni, Bashkim Ulaj

Banorët e Bërxullës kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme përballë Kryeministrisë, pasi preken nga rruga e re Thumanë-Kashar e cila do ndërtohet nga Gener 2.

Ata kanë kërkuar dëmshpërblim sipas vlerës së tregut, ndërsa kanë reaguar ashpër ndaj qeverisë duke theksuar se shteti ka shkelur plotësisht të drejtat e qytetarëve.

“Pushtetarët po testojnë durimin e banorëve. Por ne nuk do të tërhiqemi pavarësisht presioneve”, u shpreh një nga protestuesit”, u shpreh një nga protestuesit

Gjithashtu janë shprehur të bindur se nuk heqin dorë nga pronat e tyre, duke shtuar se po të jetë e domosdoshme do t’i mbrojnë edhe me gjak.


“Tokën duan ta marrin, vetëm ajrin nuk kanë çfarë ti bëjnë. Po nuk na dhanë atë që na takon i kemi lënë Zotin, por të bëjnë kthesë sa më shpejt”, u shpreh një tjetër protestues.

Por cfarë është ky koncesion i rrugës Thumanë-Kashar?

Në fund të muajit korrik trupa e gjyqtarëve, e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Vendimi është i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë, që nisi sot procedurat.

Rrugët ishin dy; ose qeveria të pranonte vendimin e gjykatës së Apelit, sikur bëri ose ta ankimonte në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit dhe prishjen e vendimit. Koncesioni kap vlerën e 457 milionë eurove.

Kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.

“U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetin” deklaroi Balluku, dy vite më parë.

Në të njëjtën kohë u zbulua edhe skandali me “Dh Albania”, që kjo kompani me dokumente të falsifikuara fitoi tenderin për Unazën e Madhe në Tiranë dhe një tender në OST.

Fizibiliteti i Thumanë – Kashar 21 km, kosto miliona euro?

Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar 21 kilometra ka një histori të ndërlikuar për shkak të përfshirjes së tij në paketën e koncesionit PPP.

Kontrata e tipit PPP, e cila ishte fituar nga kompania “Gener 2″ në korrik 2018, pas një propozimi të pa kërkuar me vlerë 226 mln euro pa TVSH dhe 271 milionë euro me TVSH, u anulua nga qeveria shqiptare në fillim të vitit 2019.

Ndërsa, sipas variantit zyrtar të fizibilitetit në ministrinë e Infrastrukturës, ky segment kushton 162 milionë euro pa TVSh dhe 195 mln euro me TVSH, ose rreth 30% më lirë se varianti me PPP.

Segmenti Thumanë – Kashar, sipas variantit zyrtar shtrihet në një trase krejt të re në të 21 kilometrat e tij, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Ky segment, sipas studimeve, parashikohet të ketë dhe trafikun më të madh, rreth 60 mijë mjete me 24 orë, duke e bërë atë tërheqës për investitorët.

Video