“Më bëj gati darkën, kthehem shpejt”/ Si u vra Elton Mermali, ish-anëtari i bandës së Aldo Bares

21 April 2022, 09:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Më bëj gati darkën, kthehem shpejt”/ Si u vra Elton
Në foto: Viktima Elton Mermali dhe Aldo Bare

Elton Mermali kishte kohë që ishte tërhequr në vetminë e tij. Dikur, një ushtar besnik i bandës së Aldo Bares, tanimë ai kishte konsideruar shkëputjen nga bota e jashtme, ashtu sikurse natën para se të zhdukej, ku takimi i tij i fundit do të ishte me nënën e tij, së cilës i tha se do të shkonte deri te lulishtja dhe se do të kthehej së shpejti ndërsa ajo e shoqëronte deri te dera.

Kjo pasi trupi i tij u gjet vetëm të nesërmen e zhdukjes anës lumit Shkumbin, shumë larg qytetit të banimit, apo me gjasa edhe vendit të ekzekutimit. Ndërsa errësira e natës dhe era që shoqëronte atë mbrëmje tetori, fshiu me vete si hije edhe vrasësit.

Po kush e vrau Elton Mermalin që tanimë mbante emrin Alban Semaku, ushtarin e Bandës së Lushnjës, të fundmin viktimë të ushtrisë të shpartalluar të Aldo Bares, kreut të organizatës famëkeqe kriminale, që tashmë nga qelia po shikonte se si po i ekzekutoheshin një e nga një të gjithë ushtarët e tij të mbetur jashtë hekurave të burgut?

Elton Mermali kishte kohë që dilte shumë pak nga shtëpia. Në mos, për të thënë shumë rrallë.

Nuk dihet nëse kjo ishte një frikë që e shoqëronte kudo, apo e shkuara e errët kishte lënë në koshiencën e tij gjurmët e veta. Ajo që dihet ishte se kohët e fundit para se të vritej ai ishte bërë shumë i heshtur, ku pothuajse nuk fliste me askënd. Ashtu i heshtur doli edhe atë mbrëmje nga shtëpia e tij në Lushnje.

Të vetmet fjalë që i shqiptoi nënës së tij, teksa kalonte pragun e banesës, ishte “t’i përgatiste darkën, pasi do të kthehej shpejt”. Nëna e tij e priti deri në mëngjes.

Të nesërmen e zhdukjes së tij të beftë, një trup i pajetë, i qëlluar me një plumb pas koke dhe dy pas shpine, u gjet me kurriz të kthyer në anë të lumit Shkumbin. Banorët thanë për policinë se viktima nuk ishte nga anët e tyre, çka rriti dyshimin te autoritetet policore, se vrasja ishte kryer gjetiu. Por shpejt, çdo dilemë mbi identitetin e kufomës do të fashitej.

Trupi i shoshitur nga plumbat në anë të lumit do të rezultonte të ishte pikërisht i Elton Mermalit.

Do të ishte nëna e tij, që do të njihte trupin e të birit në morgun e spitalit të Elbasanit.

38-vjeçarit nga Lushnja, por që jetën pas lirimit nga burgu e shkonte i veçuar. Një personazh problematik i botës së krimit, i cili më herët kishte vuajtur 13 vite heqje lirie, në akuzën për vrasje që dikur kishte qenë anëtar i bandës së Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare.

Vrasja e tij, që riktheu në skenë eliminimet e përgjakshme që tashmë ishin ndërmarrë nga rivalët, të cilët pas një kohë të gjatë në heshtje, ishin riaktivizuar edhe më të fuqishëm, për të marrë hak për të afërmit e tyre të eliminuar nga banda e Aldo Bares.

Bandë që e kishte nisur aktivitetin e saj në vitin e zi të 1997-ës dhe që kishte prodhuar me kalimin e viteve kundërshtarë dhe viktima të panumërta në radhët e të dyja palëve.

Më i fundit, Elton Mermali me emrin e ndryshuar Alban Semaku, i cili u identifikua në morgun e qytetit të Elbasanit, nga nëna e tij.

Dëshmia e nënës së Elton Mermalit

“Kohët e fundit Eltoni nuk mbante as telefon. Ai shoqërohej me disa djem qe i ka pasur shokë që në fëmijëri.

Dilte shumë pak nga shtëpia. Nuk qëndronte shumë. Qëndronte vetëm 10-15 minuta jashtë dhe rikthehej në shtëpi. E pyesnim gjithmonë çfarë ke, por ai nuk fliste”.


Video