Transparenca e KLGj: Emëruam gjyqtarët me...tre pika

20 April 2022, 22:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Transparenca e KLGj: Emëruam gjyqtarët me...tre pika

Transparenca ka qenë kryefjala e reformës në drejtësi dhe për të qenë sa më shumë të tejdukshëm në emërimet e zhvendosjet e gjyqtarëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të jetë i tejdukshëm, ashtu si në filmin ‘Invisibile Man”...për ata që e kanë parë dhe e mbajnë mend.

Këshilli njoftoi miletin përmes një deklarate për vendimet e marra në mbledhjen e datës 20 prill. Çfarë tha? Tha se në vijim të ‘shqyrytimit’ (lapsus drejtshkrimor i Këshillit, jo i redaksisë), të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit (këtu Këshilli i këputet filli) dhe na e jep magjistratin me tre pika) {…} me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor (edhe këtu këputet filli i transparencës) {…}, Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore duke caktuar datën 17 Maj 2022, ora 11:00.

Njoftimi i gjatë i Këshillit të Lartë tërhoqi kureshtarët që u përpoqën që të mësojnë më shumë për gjyqtarin dhe gjykatën me tre pika. Këshilli jo vetëm që i lë të etur, por u ndez edhe më shumë etjen me njoftimin pasues, kur thotë se ka emëruar në gjykatën e Posaçme një “zotin me tre pika”.

Etja thellohet edhe më tej, kur Këshilli ngriti në detyrë gjyqtarin tjetër “me tre pika” në Apelin Penal të Tiranës. A doni më? Këshilli i Lartë Gjyqësor vijoi me transparencën me tre pika, kur njoftoi miratimin e gradimit të ‘trepikëshit’ të radhës për periudhën 2013-2016.

Për ata që ankohen se s’ka transparencë, Këshilli i bën që të kafshojnë gjuhën në fund të njoftimit, kur thotë se ka miratuar ndryshimin e një vendimi pa tre pika dhe të një raporti...gjithashtu pa tre pika.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video