
Në Shqipëri kanë gjetur strehë mbi 800 ukrainas që prej nisjes së agresionit rus më 24 shkurt. Shifra është publikuar nga Ambasada Ukrainase në Tiranë.
“Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, është rritur numri i ukrainasve që ikin nga lufta. Tani po operojmë me 816 refugjatë nga Ukraina që kanë kaluar kufirin dhe janë këtu”, deklaroi Ambasadori ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shukrov në një intervistë për DW.
Shukrov thotë se mes të strehuarve ka rreth 100 fëmijë.
“Dëshiroj të theksoj që 214 ukrainas kërkuan ndihmë në ambasadën tonë, 124 të rritur dhe 91 fëmijë dhe morën mbështetje”, tha ai.
Sipas Ambasadorit, bashkëpunimi me Shqipërinë për mbrojtjen e refugjatëve të luftës është i mirë. Këtu, ai përmend dy vendime të qeverisë shqiptare.
“Kemi kemi kontakte të mira me ministritë përkatëse, policinë, oganizata refugjatësh. Në mënyrë të veꞔantë dëshiroj të them , që ka dy vendime të qeverisë shqiptare lidhur me statusin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët. Këto u japin mundësi refugjatëve ukrainas të hyjnë në vend dhe të qëndrojnë në Shqipëri për një vit”, shton Shukrov.