
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, paralajmëroi sot se sulmet izraelite ndaj Iranit rrezikojnë të shkaktojnë një valë migrimi drejt Evropës, gjatë telefonatës që zhvilloi me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Presidenti ynë deklaroi se ndikimi i këtij përshkallëzimi të dhunës të shkaktuar nga sulmet izraelite mund të dëmtojë rajonin dhe Evropën në aspektin e migrimit”, thuhet në një deklaratë të presidencës turke.
Turqia, e cila ndan një kufi prej 500 kilometrash me Iranin, nuk ka regjistrua rritje të mbërritjeve nga Irani gjatë javës së kaluar.
“Konflikti që filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit është një kërcënim i madh për sigurinë rajonale”, shtoi Erdogan gjatë bisedës së tij me Merz , duke bërë thirrje për një kthim në tryezën e negociatave.
Çështja e migrimit tensionoi marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Ankarasë, e cila u akuzua për inkurajimin e refugjatëve sirianë që kërkuan strehim në territorin e saj për të vazhduar drejt Evropës.
Një marrëveshje e vitit 2016 midis BE-së dhe Turqisë parashikonte që Ankaraja do të mbante një numër të madh refugjatësh sirianë në territorin e saj.