Kush tentoi ta vrasë Joy-n? Zbardhen dëshmitë kontradiktore të shoqes dhe ish-të dashurit

23 Nëntor 2022, 20:27Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Joy, vajza nga Kenia

Emisioni "Në Shënjestër"

Jeta e saj e re në Shqipëri, duhet të ishte një fillim tjetër. Shumë më e lumtur se Kenia e largët që kishte lënë pas. Të paktën kështu do të duhej të ishte, deri mëngjesin e 14 gushtit 2022. Mëngjesi, kur Joyce Achieng Aoko, një punonjëse e re kazinoje, vetëm 22 vjeç, u gjet pa ndjenja, me shenja të dukshme dëmtimesh, poshtë ballkonit të dhomës ku jetonte. Në rezidencën ‘Flowers’ në kryeqytet. E përçudnuar dhe e lënë aty në gjendje kritike për jetën. Gjendje, ku vazhdon edhe sot, të dergjet në një nga dhomat e spitalit të Traumës në Tiranë.

Me shpresa të humbura për ta bërë edhe njëherë të vetëdijshme, dhe për të na rrëfyer se çfarë ndodhi me të atë mëngjes gushti në dhomën e saj. A ishte ngjarja e saj, një tentativë vetëvrasje? Apo dikush u përpoq ta inskenojë si të tillë?
Nëse ishte kështu, kush ishin personat që e dhunuan? Dhe çfarë kërkonin prej saj? Çfarë kishte parë 22 vjeçarja nga Kenia, që u përpoqën ti mbyllnin gojën, nëse vërtetohen dyshimet se e hodhën dhe nuk u hodh nga ballkoni i hostelit ku banonte prej më pak se dy javësh? Një histori e vërtetë thriller. Me shumë rrethana të pasqaruara. Në dukje një komplot, me shumë duar brenda. Që ndoshta nuk do e kishim mësuar kurrë.

Nëse nëna e saj nuk do të fluturonte pas ngjarjes së tmerrshme, nga Kenia e largët, për të na rrëfyer mizorinë që i ishte shkaktuar së bijës në Tiranë. Rrëfim tronditës. i cili solli edhe reagimin e thatë në mënyrë telegrafike të Policisë së Shtetit. Vetëm dy muaj pasi ngjarja kishte ndodhur. Një reagim i vonuar, tejet dyshues. Se si mundet Policia e Shtetit të mbajë për një kohe të gjatë të fshehur një ngjarje të tillë dhe ta trajtojë si një zënkë banale rruge. Por nëse vërtetohet pista e dhunimit, kush e masakroi në atë rrugë pa kthim 22 vjeçaren nga Kenia?

Kush po kërkon të fshehë faktet dhe ti japë ngjarjes një drejtim tjetër, për ta orientuar atë si një tentativë vetëvrasje?
Si është e mundur që shoqet e Joyce, edhe pse mëngjesin e herët të ngjarjes, ishin në dhomat ngjitur, dhe nuk dëgjuan asnjë zhurmë? Apo përpiqet dikush që të blejë heshtjen e tyre, duke shfrytëzuar faktin që ato janë të huaja në Shqipëri?
Për të davaritur gjithë këtë mjegullnajë, të cilën Policia e Shtetit dhe grupi hetues nuk kanë mundur deri më sot ta zbardhin, por përkundrazi e kanë tymnuar edhe më shumë me paaftësinë apo implikimin e tyre, emisioni ‘Në shënjestër’ ka vendosur të ndërtojë edhe njëherë nga e para jetën e 22 vjeçares, Joyce Achieng Aoko, në Tiranë.

Që nga rekrutimi i saj nga një kazino në Tiranë, mbërritja e saj në Shqipëri, deri te mëngjesi ku u gjet pa ndjenja. Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në shënjestër’, Joyce Achieng Aoko, mësohet se ka mbërritur në Shqipëri më datë 15 shkurt 2022. Nuk dihet se në ç’rrethana është bërë rekrutimi i saj, por mësohet se fillimisht ajo ka punuar në një nga Kazinotë në ambientet e ish-Sheraton. Një nga kazinotë më të njohura në qendër të Tiranës. Aty, ku 22 vjeçarja punonte si krupiere, apo ndryshe shpërndarëse letrash në tavolinat e kumarit.

Një lloj zanati, ku ata që njihen edhe si dillera (dealer), caktohen në një tryezë kumari për të ndihmuar në zhvillimin e lojës, veçanërisht në shpërndarjen e basteve dhe të pagesave. Punë të cilën Joyce thuhet se e ka kryer në këtë kazino për disa muaj. Deri sa diçka duket se nuk ka shkuar mirë, dhe ajo është zhvendosur po si krupiere në një tjetër kazino. Këtë herë në ambientet e jashtme të stadiumit ‘Air Albania’. Aty, ku thuhet se punoi deri mbrëmjen e fundit, para se të gjendej e masakruar në hostelin ku jetonte, banesë të cilën ia kishte mundësuar punëdhënësi i saj.

Por si u gjet pa ndjenja 22 vjeçarja? Dhe çfarë nuk shkon në rrëfimet e shoqeve të saj dhe personelit tjetër të kazinosë? A janë ata plotësisht të sinqertë në thëniet e tyre para grupi hetues?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, e para që bëri kallëzim për zhdukjen e papritur të shoqes së saj të dhomës, ishte Emili, bashkëjetuesja e saj në rezidencën ‘Flowers’. Një rrëfim, siç do ta shikoni edhe më poshtë, me shumë dritëhije. E cila, në deklarimin e saj përpara oficerit të policisë gjyqësore në komisariatin e policisë nr 1 në Tiranë, të bërë në orën 23.30 të mbrëmjes së 13 gushtit 2022, 17 orë pasi Joyce nuk gjendej, tha se kishte humbur kontaktet me shoqen e saj, që nga mëngjesi i kësaj date. Ku sipas Emili komunikimi i saj i fundit me Joyce kishte qenë në orën 3.00 të mëngjesit të datës 13 gusht.

Ku vajzat kishin komunikuar me njëra-tjetrën nëpërmjet chatimit. Ku gjithçka sipas Emilit dukej e qetë në bashkëbisedimin me Joyce.

“Unë ka rreth 3 muaj që banoj me një kolege të punës e cila quhet Joyce Aoko. Mëngjesin e sotëm (13 gusht 2022) ajo e ka mbaruar punën rreth orës 02.00, ku në shtëpi e ka dërguar makina e punës, e cila transporton punonjësit. Dua të them se për herë të fundit e kam parë Joyce, kur ka lënë punën dhe më ka përshëndetur. Në orën 03:00 kam biseduar me mesazhe me të duke bërë shaka. Nuk më ka thënë apo shfaqur ndonjë shqetësim. Gjithashtu nuk kam dijeni nëse ajo ka ndonjë të afërm apo person të njohur këtu.”, tha Emili.

Pra sipas Emilit, ato biseduan bashkë rreth orës 3.00 të mëngjesit të datës 13 gusht.
Ndërsa ajo vetë u kthye në banesë në orën 6.00 të mëngjesit të po kësaj date, pra vetëm 3 orë pasi kishte komunikuar me Joyce. Ku deklaron, se teksa u kthye në banesë, nuk e gjeti si zakonisht në dhomë bashkëjetuesen e saj. Madje, nuk pa në banesë asgjë të pazakontë. E vetmja gjë e pazakontë sipas saj ishte mungesa e shoqes së saj. Por fakti që kjo e fundit kishte lënë telefonin e saj në dhomë dhe ishte larguar duke lënë aty edhe çelësin e banesës, duket se nuk i bëri ndonjë përshtypje të madhe. Qoftë edhe për ta kërkuar te shoqet e tjera në dhomat ngjitur.

“Unë kam mbaruar punë në orën 06.00, dhe jam kthyer në këmbë në rezidencë pasi makina e punës e kishte mbyllur orarin. Kur u ktheva në shtëpi pashë që dera e apartamentit ishte e mbyllur, por pa çelës. Në krevat pashë që kishte mbetje ushqimi dhe telefoni i shoqes time ishte në shtrat, ashtu si edhe çelësi i banesës. Në banesë kam gjetur dhe pije alkoolike.”, tha më tej Emili.

Por ndërsa Emili thotë se u zgjua mesditën e datës 13 gusht, ajo tregon sërish se nuk e pa shoqen saj.
Këtë herë sipas saj dukshëm më e shqetësuar për mungesën e shoqes së saj të dhomës.

Momenti, ku siç mësohet ajo ka njoftuar edhe menaxherët e kazinosë ku punonte Joyce, të cilët po sipas saj, e drejtuan për të bërë kallëzim në polici. Kallëzim, të cilin siç thamë edhe më lart, Emili e bëri, mbrëmjen e vonë të datës, 13 gusht 2022. Në orën 23.30 të kësaj date, pra pothuaj 17 orë pasi Joyce ishte zhdukur në mënyrë të beftë dhe nuk gjendej. Referim, i cili është bërë në komisariatin e policisë nr 1. Ku Emili, siç shikohet edhe nga procesverbali i firmosur në prani të oficerit të policisë gjyqësore, shoqërohet nga një person i dytë. Personi, me gjeneralitetet Rodi B., që në këtë rast ka bërë edhe përkthyesin e saj, i cili siç do ta shikoni edhe më poshtë në dëshmitë e tij, pretendon se është ish-i dashuri i Joyce.

Ku në këtë kallëzim, që thamë mban datën 13 gusht 2022, pra 17 orë pasi Emili kishte konstatuar zhdukjen e Joyce dhe 13 orë para se kjo e fundit të gjendej pa ndjenja poshtë banesës ku ata jetonin, Emili deklaron se nuk ishte paraqitur më herët për të bërë denoncim për zhdukjen e shoqes së saj, pasi mendonte se Joyce do të kthehej.

“Unë kam për të thënë se sonte kam shkuar në punë pasi e filloj në orën 22.00 dhe u kam thënë atyre të punës për këtë gjë. Se kam bërë të ditur më parë zhdukjen e Joyce pasi kam menduar se do të kthehet shpejt. Por meqë nuk ka ardhur u bëra merak dhe u paraqita për të bërë këtë kallëzim. Për herë të fundit e kam pare Joyce kur ka lënë punën dhe më ka përshëndetur.”, shtoi Emili.

Por teksa Emili bëri këtë kallëzim mbrëmjen e 13 gushtit 2022 përpara oficerit të policisë gjyqësore në komisariatin nr. 1 në Tiranë, për zhdukjen e papritur të shoqes së saj, bashkëjetuesja e saj, Joyce Accieng Aoko, u gjet pa ndjenja 12 orë më pas, poshtë dhomës ku dy vajzat jetonin. Më datë 14 gusht 2022, rreth orës 12.00 të mesditës. Pra, duke marrë parasysh edhe kohën kur Emili humbi kontaktet me të, orën 6.00 të mëngjesit të datës 13 gusht, pothuaj 30 orë pasi Joyce kishte humbur pa gjurmë. Sipas grupit hetues, të parat që dhanë deklarime mbi rrethanat në të cilat u gjend kolegia e tyre, ishin Sophi Sh. dhe Nana Kh.

Dy shtetase gjeorgjiane, të cilat punonin në Casino Arena, së bashku më Joyce Aoko. Ato me të cilat ajo jo vetëm punonte në kazino, por edhe ndante rezidencën ku jetonte së fundmi. Të cilat rrëfyen se si e gjetën pa ndjenja kolegen e tyre rreth orës 11.50 të paradrekës së datës 14 gusht 2022. Rezidencë, që siç del nga dëshmia e vajzave, në të cilën banonin edhe të tjera kolege të tyre, por që edhe këto çuditërisht nuk kishin dëgjuar asgjë të pazakontë atë mëngjes të herët të kësaj date. Por as në orët e mëhershme, nëse do të besojmë që viktima kishte në të vërtetë 30 orë që qëndronte duke lënguar, poshtë ballkonit të tyre. Dritare ballkoni, që duhet thënë se janë vetëm 3 metra larg vendit ku ndodhej Joyce.

Çka të lë të dyshosh se si është e mundur që askush nuk i dëgjoi rënkimet e Joyce, gjatë gjithë këtyre orëve të gjata të lëngimit të saj, poshtë dritareve të ballkonit të tyre.

“Pasi jemi zgjuar, kemi dalë në dritare dhe kemi parë poshtë, përtokë, një person. Pamë që ky person ishte Joyce nga Kenia, dhe filluam të bërtasim të shqetësuara. Në këtë moment të dyja zbritëm poshtë. Bashkë me ne zbritën edhe njerëz të tjerë që punojnë tek kazinoja, por që jetojnë në rezidencë. Joyce ishte e shtrirë përtokë, pa këpucë, e përmbysur, kishte gjakderdhje në kokë mbrapa, ishte e gërvishtur tek pjesa e mollzës së fytyrës, gjakderdhje nga hunda si dhe pantollonat e shkurtra i kishte të ulura deri tek gjunjët.”, tha Sophi Sh.

Siç vihet re edhe nga dëshmia e vajzave, nga këqyrja e parë që ato i bënë trupit të Joyce, përveç dëmtimeve të një rënie të mundshme nga ballkoni, ato konstatuan te ajo edhe disa anomali. Një nga këto anomali ishte veshja e saj në pjesën e poshtme të trupit. Ku pantallonat e saj të shkurtra ishin të ulura poshtë gjunjëve.
Që në dukje të lë dyshimin e një tentative përdhunimi. Por që na tregon në një farë mënyre se sulmi nuk ka qenë i menjëhershëm, pasi vajza nuk ka qenë me rrobat e punës, në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Por me rrobat e shtëpisë.

Që vetvetiu ngre edhe një pikëpyetje, a mundet një person në rast të një tentative vetëvrasje, të hidhet nga ballkoni i banesës ku qëndron, me pantallonat e ulura deri te gjunjët?

“Unë jam e punësuar si diller tek Casino ‘Arena’ tek Stadiumi ‘Air Albania’. E njoh Joyce pasi e kam takuar dy-tre herë. Kam qenë tek dhoma ku banojmë me shoqen time, rreth orës 11.50 më datë 14 Gusht 2022. Pasi jemi zgjuar, kam dalë në dritare ku kam parë poshtë një person. Ishte Joyce Aoko nga Kenia. Filluam të bërtisnim të shqetësuara. Më pas zbritëm poshtë, aty ku ajo gjendej. Joyce ishte e shtrirë përtokë, pa këpucë, përmbys. Kishte gjakderdhje në kokë mbrapa dhe e gërvishtur tek pjesa e mollëzës së fytyrës.”, pohoi Nana Kh.

Pantallonat e shkurtra i kishte të ulura deri tek gjunjët, ku në pjesën e legenit ishte e gërvishtur. Ne nuk e kemi prekur, por vetëm i hodhëm ujë. Ajo lëvizi pak dhe menjëherë lajmëruam përgjegjësin e kazinos, të cilin e quajnë Hysen. Por ndërsa dy koleget e Joyce, Sophi Sh. dhe Nana Kh, thonë se ishin ato të parat që pikasën trupin e Joyce, poshtë ballkonit të tyre, Emili pretendon se ishte ajo e para që pa shoqen e saj.

Ajo tha për grupin hetues, pasi u rimor në pyetje, se e konstatoi trupin e shoqes së saj, në orën 12.30 të datës 14 gusht 2022. Pra një orë, pasi trupi i Joyce ishte gjetur nga shoqet e tjera të cilat ndanin me të rezidencën.
Madje sipas dëshmisë që Emili dha, del se ka qenë ajo vetë që ka lajmëruar ambulancën.

Grupi hetues
Nga ana jonë u rimor në pyetje Emili ….e cila deklaroi se kur e hapi dritaren e dhomës së gjumit rreth orës 12.30 të datës 14 Gusht 2022, ajo pa shtetasen Joyce Achieng Aoko të shtrirë në tokë dhe njoftoi ambulancën.
Sipas grupit hetues, Emili gjatë marrjes në pyetje, shpjegoi edhe njëherë se si e gjeti bosh dhomën ku jetonte me Joyce, mëngjesin e datës 13 gusht. Ku ajo që të bie në sy edhe njëherë është rregullsia në të cilën ajo thotë se e gjeti banesën. Madje edhe dritaret e mbyllura.

Dosja Hetimore
Emili ka sqaruar se në momentin e parë që ka shkuar në dhomë, e ka gjetur të hapur derën dhe dritaret e mbyllura dhe në dhomë kanë qenë dy telefonat e Joyce, (njëri ka qenë i fikur, ndërsa tjetri është sekuestruar nga ana jonë ku nga kqyrja e tij ku nuk ka rezultuar ndonjë telefonatë e ndonjë personi apo foto përveç një video e bërë më datë 12 Gusht 2022 ora 03.53 minuta vetëm në dhomë), çanta personale si dhe çelësat e dhomës.
Pra, siç shikohet edhe në rrëfimin e dytë para hetuesve. Emili pavarësisht se shoqja e saj kishte lënë në banesë të gjithë sendet personale, madje edhe çantën e saj, nuk është kujdesur aspak të dijë për fatin e saj, por ka shkuar qetësisht të bie në gjumë.

Ndërkohë që është e çuditshme, nëse do ti besojmë rrethanave në të cilat Emili e gjeti banesën, dhe nëse do ti besonin variantit të mundshëm të një vetëvrasje, se si Joyce, u kujdes të mbyllte dritaret, në kushtet ku ndodhej. A mundej Joyce që të kryente dy veprime njëherësh, edhe të hidhej nga ballkoni dhe njëkohësisht të mbyllte dritaret? Ky është vetëm një aspekt i errët i rrethanave në të cilat Emili tregon, se si e gjeti banesën pa Joyce brenda atë mëngjes të 13 gushtit.

Një tjetër aspekt i dyshimtë që do të shikohet edhe më poshtë është rrëfimi i Rodi B. Personi që siç thamë edhe më lart, pretendon se kishte një lidhje me Joyce, dhe që rezulton se ka qenë i pranishëm si përkthyes i Emili, gjatë kallëzimit që kjo e fundit bëri mbrëmjen e 13 gushtit në komisariatin nr 1, për zhdukjen e shoqes së saj.

Rodi B. që rezulton se ishte një nga shoferët e kazinosë ku punonte Joyce. Një lidhje e shkurtër e tij me Joyce, në dukje e pakonsumuar, për të cilën ishte në dijeni edhe Emili. Rodi B, i cili teksa u mor në pyetje pas zbulimit të trupit të dhunuar të Joyce, tregoi përpara grupi hetues se hera e fundit kur ishte takuar me të ishte data 8 gusht 2022. Dhe që nga ai moment ajo, sipas tij, kishte bllokuar çdo komunikim me të.
Rodi B. Unë kam rreth 3 muaj që e njoh Joyce Aoko tek Casino te ‘Sheraton’ në Tiranë.

“Kam patur lidhje intime me të. Më datë 8 Gusht 2022 rreth orës 14.00 kam shkuar tek shtëpia ku jetonte në rrugën e Elbasanit tek rezidenca Flowers. Pasi qëndrova disa orë me të kam vendosur që të mos e vazhdoja më këtë lidhje me miratimin edhe të saj. Joyce më ka bërë bllok dhe që nga ajo ditë nuk kam pasur më asnjë kontakt me të.”, Rodi B.

Po ndërsa çifti i ri duket se nuk po kalonte një moment të mirë në lidhjen e tyre, ajo që duket se mbante lidhje me të dy ishte shoqja e saj Emili, e cila siç shikohet edhe në dëshminë e ish-të dashurit të pretenduar të Joyce, i ka shprehur këtij të fundit, më datë 13 gusht, shqetësimin se Joyce kishte humbur. Këtë shqetësim Emili, sipas dëshmisë që ka dhënë Rodi, ia ka shprehur në orën 18.43 të pasdites së datës 13 gusht. Pra, 12 orë, nga momenti që Joyce, nuk gjendej gjëkundi.

“Më datë 13 gusht 2022, rreth orës 18.43, jam vënë në dijeni nga shoqja e saj Emili se Joyce nuk po gjendej dhe më ka pyetur mos ishte me mua. Unë i thashë që ajo më kishte bërë bllok dhe që nuk kam patur më kontakt me të. Po nga Emili kam mësuar se ajo është gjetur pa ndjenja tek rezidenca Flowers.”, tha Robi B.

Por ajo që është e habitshme dhe vlen edhe njëherë të ndalemi është si ka mundësi që Emili dhe Rodi, nuk bën asnjë kontroll rreth e përqark ambientit të rezidencës. Ndërkohë që ajo çfarë mëson emisioni ‘Në Shënjestër’, është se Emili pasi u zgjua nga gjumi diku rreth orës 15.00 të datës 13 gusht, ka njoftuar menaxherët e kazinosë, mbi zhdukjen e papritur të Joyce.

Ku këta të fundit, kanë caktuar atë dhe Rodin që të kryejnë kontrolle në rezidencë. Por që sipas tyre, ata pasi kishin bërë verifikimet përkatëse, nuk kishin konstatuar asgjë të pazakontë në pjesën përpara dhe pas rezidencës. Ndërkohë që Rodi thotë se u njoftua nga Emili për humbjen e Joyce në orën 18.43 të datës 13 Gusht.

Dhe askush prej tyre nuk përmend në dëshmitë e dhëna përpara grupit hetues, se ata kishin kryer një kontroll paraprak në rezidencën ku qëndronte Joyce. Aty ku ditën tjetër u gjet më pas edhe trupi i saj i dhunuar. Ndërkohë që një aspekt i dyshimtë është edhe fakti. përse menaxherët e kazinosë caktuan Rodin për të shoqëruar Emilin. Qoftë për të bërë kontrollin në rezidencë, por edhe për ta shoqëruar si përkthyes për të bërë kallëzimin në polici. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ të parët që shkuan në vendngjarje, mesditën e 14 gushtit, pasi Joyce u gjet pa ndjenja në ambientet e rezidencës ku banonte, ishin shërbimi i urgjencës.

Ku gjatë gjatë deklarimeve të tij, mjeku i ambulancës tha se në momentin e parë që mbërritën në vendngjarje, ata konstatuan, një person femër, të shtrirë në tokë në një rrugicë pas një porte hekuri të mbyllur me dry.

“Fillimisht hipa mbi kangjella dhe u afrova tek personi. Ku konstatova se kishte puls të dobët, frymëmarrje të vështirë dhe hematomë në kokë, sytë e nxirë dhe gjak nga hundët, si edhe nga mesi e poshtë ishte e zhveshur dhe e pastër. I dhamë ndihmën e parë dhe e dërguam me ambulancë në Spitalin ‘Nënë Tereza’. Në orën 00:20 vajtëm në spitalin e Traumës ku morën kontakt me mjeken. Ajo na shpjegoi se shtetasja është në intubim dhe është akoma në rrezik për jetën dhe se ka hematomë në kokë, por nuk e di se si është shkaktuar ajo.”, tha Dashamir Krasniqi, mjek ambulance.

Por në spitalin e Traumës, siç do ta shikoni edhe më poshtë në rrëfimin e tij para grupit hetues, shkoi edhe ish-i dashuri i Joyce. I cili, në dëshmisë e tij dhënë përpara grupit hetues, mësohet të ketë thënë se Joyce ishte gjendur në kushte jo të mira për jetën, vetëm të nesërmen e kallëzimit që ata kishin bërë në polici, bashkë me Emilin. Ku sipas tij, ishte po Emili që e njoftoi mbi incidentin e rëndë. Ku më 14 gusht 2022, menjëherë pasi mësoi për ngjarjen, ai u drejtua për në Spitalin e Traumës, ku Joyce ishte transferuar nga QSUT, për një mjekim më të specializuar. Por ajo që të bën përshtypje në dëshminë e Rodit, është interesimi i tij, për të ilustruar atë çfarë i kishte ndodhur Joyce, me atë që ai e quan si jeta e asaj e mbushur me andralla.

Ku ajo, sipas tij, i ishte shprehur se ka qenë e përdhunuar në Kenia dhe për këtë arsye konsumonte shpesh lëndë alkoolike dhe narkotike.

“Menjëherë sapo mësova mbi atë çfarë i kishte ndodhur Joyce, kam shkuar tek spitali i Traumës për t’u interesuar për të dhe më kanë thënë se ishte në gjendje kome. Ajo konsumonte herë pas herë lëndë narkotike. Ajo më ka treguar se sa herë pinte alkool i kujtoheshin kohët e vështira që kishte kaluar në Kenia, madje më ka thënë që e kishin përdhunuar atje.”, tha Rodi B., ish-i dashuri i Joyce.

Por përse Rodi ishte i interesuar ti tregonte këto aspekte të jetës së Joyce përpara grupit hetues. Dhe a u bënë analiza toksikologjike në trupin e Joyce, për të vërtetuar nëse ajo kishte konsumuar atë mëngjes kur ndodhi ngjarja, pije alkoolike dhe lëndë narkotike? Ndërkohë që grupi hetues, siç vihet re edhe në dosjen hetimore, nuk pati mundësi të komunikonte me Joyce, pasi siç do ta shikoni edhe më poshtë, që nga momenti i ndodhjes së ngjarjes dhe deri më sot, ajo është në gjendje të pavetëdijshme për të folur.

Grupi Hetues
Në lidhje me rastin e shtetases Joyce Achieng Aoko, është marrë kontakt me mjeken Amarda Arapi në spitalin ‘Nënë Tereza’ që ndiqte rastin e cila është shprehur se kjo shtetase ka mbërritur në spital në gjendje kome dhe se është në intubim, për këtë arsye nuk mund të merret kontakt me të për shkak se ka hematoma në kokë dhe në trup. Më pas është njoftuar nga salla operative se shtetasja Joyce Achieng Aoko është dërguar në spitalin e Traumës.
Por këto nuk janë të vetmet paqartësi që amullojnë tashmë çështjen që tani e tutje do ta quajmë ‘Joyce’.

Janë shumë pikëpyetje që duket se dikush është kujdesur me qëllim për ti lënë pa përgjigje dhe që e vështirësojnë edhe më shumë shkuarjen drejt të vërtetës së zbardhjes së një prej ngjarjeve më të rënda, se si një shtetase e huaj që kishte ardhur për të punuar në Shqipëri, u gjet e masakruar në banesën ku ishte zhvendosur prej jo më shumë se një jave. Pikëpyetja e parë është përse policia u vonua të kryente hetime të thelluara. A janë kryer të gjitha procedurat hetimore konform ligjit dhe a janë marrë si duhet gjurmët papilare në vendngjarje? Përse pas 3 muajsh, nuk është bërë ende deflorimi i Joyce, për të kuptuar nëse kishte tentativë përdhunimi, duke qenë se veshja e saj në pjesën e poshtëme të trupit, në momentin e parë u gjet e ç’rregullt?

A janë marrë analizat e saj toksikologjike, duke qenë se shoqja e saj e dhomës pretendon se në dhomë kur u kthye mëngjesin e datës 13 gusht gjeti një shishe të përgjysmuar me alkool? A mundet që një person që konsumon një gjysmë shishe alkool, në orën 3 të mëngjesit, pasi kthehet nga puna, të kujdeset ta lerë dhomën në rregull. Dhe më pas të hidhet nga ballkoni, me pantallonat e ulura te gjunjtë? Çfarë ia shkaktoi Joyce hematomat në tru? Ajo që dimë tashmë është se spitali i Traumës është shtëpia e Joyce prej më shumë se 3 muajsh. Aty ku ajo dergjet e pashpresë, në gjendje vegjetative.
Ku mbi kokë i qëndron, Ruth, nëna e saj.

Së cilës iu desh të fluturonte nga Kenia e largët, për të qëndruar pranë së bijës.
Nëna e cila, krahas ndihmës që po kërkon për vajzën e saj, është edhe në kërkim të së vërtetës së çfarë ndodhi me Joyce, që nga biseda e tyre e fundit, në orën 3.00 të mëngjesit të datës 13 gusht, deri mesditën e datës 14 gusht, kur ajo u lajmërua më tej se Joyce, nuk ishte mirë. Shumë pikpëpyetje të cilat ajo nuk hezituar ti shprehë edhe në daljet e saj në media.

Po, për t’iu kthyer edhe njëherë ditës së fundit të Joyce, para se ajo të gjendej e dhunuar, grupi hetues u kthye të pyesë të gjithë personat që kishin lidhje direkte apo indirekte me punën dhe jetën e saj në Tiranë.
Një nga personat e parë, që mund të kishte dijeni për rrethanat e ngjajres, i cili u pyet për jetën e Joyce, ishte përgjegjësi i kazinosë ku ajo punonte. I cili ndryshe nga sa ish-dashuri i Joyce, tregoi për jetën e vështirë të Joyce, midis alkoolit dhe lëndëve narkotike, tha se kjo e fundit ishte një vajzë e rregullt.
Të cilën nuk e kishte parë asnjëherë të konsumonte lëndë alkoolike, apo të kishte sjellje të çuditshme në punë.

Dosja Hetimore

Gjatë deklarimit të tij, shtetasi Nicolae A., përgjegjës në kazino, ka sqaruar se është njoftuar nga shtetasja Emili në lidhje me shoqen e dhomës që nuk ka pasur kontakt. Sipas tij, Joyce Achieng Aoko, ka rreth pesë muaj që është e punësuar dhe nuk ka pasur probleme në punë me ndonjë koleg apo klient. Në punë, po sipas tij, ajo ka qenë e rregullt dhe nuk e ka parë në asnjë rast të konsumojë alkol apo lëndë të tjera.

Por edhe kjo dëshmi e përgjegjësit të kazinosë, meriton të merret me rezerva.

Pasi teksa ai është shprehur se Joyce nuk kishte probleme gjatë punës apo qëndrimit të saj në Shqipëri, emisioni ‘Në shënjestër’ ka mësuar se e vërteta është ndryshe. Sipas të dhënave që disponojnë. Joyce Açieng Aoko, edhe pse ishte një vajzë e rregullt, kishte raportuar herëpashere probleme në banesën e parë ku qëndronte përpara se të transferohej së fundmi në rezidencën ‘Flowers’. Ajo i kishte shprehur herëpashere nënës së saj, por edhe menaxherëve të kazinosë, shqetësimin për konflikt gjithmonë e më të rënduar, me bashkëjetuesen e saj ganeze. Në rezidencën në rrugën ‘Ali Demi’, aty ku ishte vendosur fillimisht.

Për këtë arsye kazinoja kishte marrë përsipër ta akomodonte, në ambientet e rezidencës ‘Flowers’. Aty kishte vetëm një javë që qëndronte, para se të gjendej me shenja ende të pasqaruara dhunimi. Por ndërkohë, kjo nuk do të ishte e vetmja lëvizje që Kazinoja do të bënte për Joyce. Pasi ajo nuk do të zhvendosej vetëm në rezidencën e re, por edhe në një kazino tjetër. Në ambientet e jashtme të stadiumit ‘Air Albania’. Ngjitur me atë kazino ku kishte shërbyer më parë si shpërndarëse letrash. Çka e bën disi kontroverse edhe dëshminë e dhënë nga përgjegjësi i kazinosë së parë, që tregoi siç thamë për grupin hetues, se Joyce nuk kishte asnjë problem.

Një tjetër person që dha dëshmi për mënyrën se si u gjet Joyce, ishte edhe një tjetër koleg i saj.

Dosja Hetimore
Në lidhje me këtë ngjarje, u mor edhe deklarimi i shtetasit Viktor Ll. i cili ka sqaruar se e ka kolege shtetasen Joyce Achieng Aoko, dhe se e kanë njoftuar në lidhje me moskontaktin me të, si dhe me gjetjen në rrugën afër Hostelit. Ku së bashku me Nikolan kanë shkuar të dy tek Hosteli ku ishte gjetur e shtrirë pa ndjenja. Në ato moment, sipas tij ka mbërritur ambulanca dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit me barelë dhe më pas e kanë shoqëruar ambulancën deri tek Spitali ‘Nënë Tereza’.

Por ajo që të habit më së shumti në gjithë këtë histori është se si është e mundur, që rezidenca ‘Flowers’, ku luhet e gjithë skena, të mos ketë asnjë kamerë sigurie. Gjë, që siç do ta shikoni edhe më poshtë, pranohet edhe nga një prej punonjësve të rezidencës, i pyetur nga grupi hetues. Ndërkohë që grupi hetues, tashmë i ka varur shpresat te kamerat e sigurisë së Ambasadës Turke, që ndodhet në të njëjtën rrugicë me rezidencën ‘Flowers’. Ku i ka kërkuar ndihmë për të ti administruar këto pamje. Por që deri më sot këto filmime, nuk janë siguruar nga ambasada në fjalë.

Grupi Hetues
Për qëllime të hetimit, është pyetur një nga punonjësit e residences ‘Floëers’ ku Joyce jetonte. Shtetasi Ilir Çunaj ka shpjeguar se ky ambient nuk ka kamera dhe në dijeninë e tij pronari ishte jashtë shtetit me pushime.
Duke qenë se në Hostelin ‘Flowers’ nuk ka kamera të vendosura dhe as në vendin ku është gjetur Joyce Achieng Aoko, për këtë arsye i është dërguar shkresë për pamjet filmike Ambasadës Turke për të marrë ndonjë të dhënë më shumë në lidhje me ngjarjen, por deri më tani jemi në pritje të përgjigjes së tyre.

Por ndërsa hetimet duket se kanë ngecur diku në mënyrë të pakthyeshme, ajo që e bën edhe më misterioze ngjarjen është dëshmia që ka dhënë në polici një nga shoferët e kazinosë. I cili rezulton, çuditërisht të kenë qënë i pranishëm bashkë me Emilin dhe Rodi B., mbrëmjen e 13 gushtit 2022, në komisariatin nr 1 në Tiranë. Aty ku Emili bëri kallëzimin për humbjen e shoqes së saj të dhomës.
Ky person rezulton sipas procesverbalit, të jetë shoferi i kazinosë që bëri shpërndarjen e punonjësve natën kur Joyce la punën, për tu kthyer në banesë, i cili, siç do ta shikoni edhe në këtë dëshmi, shprehet që nuk e ka fiksuar Joyce në furgonin e tij, mëngjesin e datës 13 gusht, kur ajo ka lënë punën.

“Unë jam punonjës te kazinoja tek Sheratoni, ku punoj prej tre muajsh si shofer. Detyra ime është të transportoj punonjësit për në banesë, aty ku ua ka mundësuar puna. Brenda natës më bie të transportoj shumë punonjës, rreth 50 veta, ku nuk i mbaj mend si fytyra. Vajzën që më treguat nuk e mbaj mend si fytyrë, pasi në fugonin e punës hypin persona të kombësive të ndryshme kryesisht femra dhe nuk i fiksoj. Unë i lë tek hyrja e ‘Floëer rezidence’ dhe më pas largohem në punën time”, tha Andrea Nako, shofer në Kazino Sheraton. Një dëshmi disi kontroverse, po të kihet parasysh se mjetet e transportit të punës, i lënë punonjësit në hyrjet e banesave të tyre.

Por që bëhet edhe më shumë e tillë, po të shikosh dëshmitë e Emili që thotë seJoyce u kthye atë natë në banesë me makinën e punës dhe të një tjetër kolege të saj, që thotë se në furgonin e punës atë natë ishim vetëm 3 persona. Dhe makina na la në hyrje të rezidencës.

“Atë natë në furgonin që na çon banesë, kemi qenë 3 vajza, një djalë, dhe shoferi. Pra kam qenë unë, Joyce Aoko dhe një djalë dhe një vajzë që nuk ua di emrin. Unë kam qenë e ulur në fund të furgonit dhe Joyce në fillim të furgonit.”, tha Betarice A.

Pyetja që lind pas kësaj dëshmie, është a mundet shoferi të mos e ketë dalluar atë natë. Dhe pse Emili dhe Rodi, e morën me vete gjatë kallëzimit që bënë në komisariat, natën para se Joyce të gjendej me shenja dhune në trup. Por ndërsa grupi hetues pret, koha në dispozicion duket në disfavor të hetimeve. Ndërsa ankthi se çfarë ndodhi me Joyce në ato 30 orë, nga ora 3.00 e mëngjesit të datës 13 gusht deri mesditën e datës 14 gusht, kur u gjet në kushte mjerane për jetën, sa vjen dhe rritet.

Ndërkohë që shoqet e saj, me të cilat ajo ndau muajt e fundit në Shqipëri, thonë se ajo ishte një vajzë solare.
Po, a mundej një vajzë e qeshur dhe pozitive, si Joyce, siç e përshkruajnë koleget, tia bënte këtë gjë vetes.
Një vajzë që kishte udhëtuar me mijëra kilometra, për ti shpëtuar varfërisë së vendit të saj.

Dhe që do zgjidhte t’i jepte fund jetës në Shqipëri, në vendin ku kishte ardhur për të bërë punën që dëshironte.

“Unë e njoh Joyce pasi punon tek kazino tek Sheratoni. Ajo jeton në të njëjtën rezidencë me mua në rrugën e Elbasanit ‘Flower Rezidence’. Sot në mëngjes tek rezidenca ku jetojmë kam parë shumë policë edhe aty e kam marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Nuk kam vënë re asnjë shqetësim tek ajo, madje ajo ishte një tip i qeshur.”, tha
Betarice A

Por ndërkohë që duket se çështja është ngërthyer në kurthe të pazgjidhshme, duket se grupi hetues ka në dorë prova që mund të çojnë drejt ndalimeve të para rreth kësaj ngjarje. Ku sipas grupit deri në këtë moment janë dy persona të dyshuar, të cilët thuhet se kanë hyrë në rezidencë. Njëri, një person i njohur i Joyce dhe tjetri jo i njohur me të. Por ajo që mbetet si një pikëpyetje e madhe është kush ua dha atyre çelësin e rezidencës.

A u fut Joyce në kurth atë mëngjes të datës 13 gusht, kur u kthye nga puna në orën 3.00 të mëngjesit.
Ndërkohë që mamaja e saj, Ruth rezulton që të ketë qenë personi i fundit që ka folur me të, në orën 3.25 të mëngjesit. Dhe nuk pa asgjë shqetësuese te vajza e saj. Cili është roli i personazheve të tjerë që rrotullohen në këtë ngjarje?

A kanë treguar të vërtetën Emili dhe ish-i dashuri i Joyce, mbi atë çfarë vajzës nga Kenia i ngjau në ato 30 orë zhdukje. Dhe pyetja që duhet t’i bëjë vetes grupi hetues, është: ku ndodhej Joyce në këto 30 orë, nëse marrim të mirëqenë thëniet e Emilit dhe Rodit, se ata kontrolluan në rezidencë më datë 13 gusht, por nuk e gjetën aty?!!!

Video