Kostume 1000 euro për RTSH/ Reagon stilisti Altin Mici: Nuk kam marrë asnjë lekë nga fondet publike, nuk është zbatuar kontrata

17 September 2025, 14:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kostume 1000 euro për RTSH/ Reagon stilisti Altin Mici: Nuk kam marrë
Altin Mici

Pas publikimit të disa shkrimeve ku përmendej emri i tij në lidhje me përfitime të dyshuara nga fondet e TVSH-së, Altin Mici ka reaguar me një deklaratë publike, duke i cilësuar raportimet si të pasakta dhe të dëmshme për figurën e tij profesionale.

Në reagimin e shpërndarë për mediat, Mici kërkon që çdo media që ka publikuar ose ripublikuar këto pretendime të ndërmarrë menjëherë tre hapa:

Të bëjë përgënjeshtrim publik, duke sqaruar se bashkëpunimi me RTSH është iniciuar nga vetë televizioni publik dhe se i vetmi kompesim i parashikuar ka qenë në formë publiciteti, pa asnjë përfitim financiar.

“Shërbimi im është ofruar, por kontrata nuk është finalizuar dhe për rrjedhojë nuk kam marrë asnjë kompensim, financiar apo publicitar”, thekson Mici.

Ai shton gjithashtu se çdo përdorim i pjesshëm i dokumenteve, që sipas tij çon në interpretime të gabuara, dëmton rëndë reputacionin e tij dhe prandaj kërkon një reflektim të menjëhershëm nga mediat

Deklarata e plotë e Micit

Në vijim të publikimeve të fundit mediatike, në të cilat është përmendur emri im dhe janë përdorur dokumente që lidhen me aktivitetin tim profesional për të argumentuar pretendime mbi mosshlyerje detyrimesh nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), kërkoj nga çdo media që ka publikuar ose ripublikuar këto përmbajtje të ndërmarrë menjëherë hapat e mëposhtëm:

Të bëjë përgënjeshtrim publik, duke sqaruar se:

Bashkëpunimi është inicuar nga vetë RTSH.

Kompensimi i parashikuar ishte vetëm në formë publiciteti dhe në asnjë rast nuk kam përfituar apo tentuar të përfitoj fonde publike.

Shërbimi im është ofruar, por kontrata nuk është finalizuar dhe për rrjedhojë nuk kam marrë asnjë kompensim, financiar apo publicitar.

Të korrigjojë raportimet duke reflektuar në mënyrë të saktë dhe të plotë versionin real të ngjarjeve.

Të shmangë interpretimet e pasakta dhe përdorimin e pjesshëm të dokumenteve, pasi këto krijojnë perceptime të gabuara dhe dëmtojnë padrejtësisht imazhin dhe reputacionin tim profesional.

Në rast të mosrespektimit të së drejtës sime për një informim të drejtë e të balancuar, do të jem i detyruar të ndjek rrugët ligjore për mbrojtjen e figurës dhe aktivitetit tim profesional.



Video