Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi sot gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Administrativ Rilinda Selimi. Trupa e kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi e konstatoi Selimin si të papërshtatshme në kriterin e figurës.
Sipas vendimit, gjyqtarja kishte kontakte me një person me inicialet F.D, e shkuara e të cilit kishte qenë ndër elementët penalizues edhe në rivlerësimin e bashkëshortit të Selimit, e bënin gjyqtaren të papërshtatshme.
F.D sipas KPA edhe pse ishte dënuar vetëm për “moskallëzim krimi”, kishte qenë i hetuar që prej vitit 2013 për trafik të narkotikëve. Kolegji arsyetoi se kontaktet e gjyqtares me këtë person nuk ishin rastësore, por se ata kishin lidhje familjare. Në fund Kolegji arsyetoi se gjyqtarja Selimi nuk arrin nivel të besueshëm sa i përket kriterit te “pastërtisë së figurës” dhe se duhej të shkarkohej nga detyra.
Rilinda Selimi, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.
Komisioneri Publik bazuar në këtë rekomandim ankimoi çështjen dhe kërkoi shkarkimin e Selimit. Më herët KPK dhe KPA shkarkuan edhe Shkëlzen Selimin, bashkëshorti i gjyqtares dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë, për shkak të kontakteve me persona të përfshirë në krimin e organizuar.