Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se në 48 tonë lëkurë gjedhi të sekuestruara është konstatuar lëndë narkotike kokainë.
Burimet kanë bërë të ditur se për këtë është kryer ekspertizë në disa prej 850 copë lëkurash që u bllokuan në operacionin e 15 nëntorit të vendosura në një magazinë në Mullet të Tiranës.
Një tjetër verifikim ka nisur mbi mbetjet e gjurmëve në thasët dhe materialet e konstatuara gjatë kontrolleve në laboratorin e drogës.
Ato do të shërbejnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar.
Ndërkohë po mendohet nëse do të jetë e nevojshme marrja e eksperteve të huaj me qëllim ndarjen e drogës e cila është shkrirë në lëkurat e gjedhit që burimin e origjinës e kanë nga Amerika latine.
Hetimet zbuluan se brenda këtyre materialeve ishte e fshehur kokaina e cila pasi vinte në Shqipëri përmes rrugëve detare vendosej në Mullet.
Aty bëhej ndarja e lëndës e më tej përpunohej në Çerekë të Fushë Krujës.
Për këtë operacion SPAK lëshoi 10 urdhra arreste.
Grupi kriminal vëzhgohej prej 12 muajsh. Mes të arrestuarve janë edhe 3 shtetas të huaj që besohet se do t’i shërbenin grupit për përpunimin e kokainës./oranews