Kisha Ortodokse apel besimtarëve: Sigurohuni t'ua shënojnë saktë identitetin fetar në census

17 Shtator 2023, 16:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kisha ortodokse "Ngjallja e Krishtit", Tiranë

Kisha Ortodokse i ka bërë thirrje besimtarëve të krishterë të deklarojnë saktë besimin e tyre fetar, dhe të sigurohen që të shënohet saktë nga punonjësi i censusit të popullsisë që nis ditën e nesërme.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kisha Ortodokse i bën thirrje besimtarëve të deklarohen "i/e krishterë ortodoks" dhe të sigurohen që është hedhur saktë në tablet.

Më herët, edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar i bëri thirrje besimtarëve të "deklarojnë me krenari se janë myslimanë".

“Nga dita e hënë, datë 18 shtator 2023, dhe në 6 javët në vazhdim, në të gjithë vendin do të kryhet Regjistrimi/Censi i Popullsisë dhe Banesave. Në këtë proces të rëndësishëm do të regjistrohen edhe të dhënat e përkatësisë së besimit fetar. Meqë kjo pjesë e Censit është lënë vetëm fakultative, tregoni vëmendje dhe përgjegjshmëri, duke kërkuar shënimin e identitetit tuaj fetar: “i/e krishterë Ortodoks”.

Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë fetare, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar”, shkruan në faqen e vet në Facebook Kisha Ortodokse e Shqipërisë.

Për këtë çështje, kryepeshkopi Anastas Janullatos, ua ka shpjeguar edhe me detaje besimtarëve:

Video