Kërkon të dalë nga burgu për të marrë pjesë në Parlamentin Evropian, zbardhet argumenti i Belerit

12 Korrik 2024, 19:58Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fredi Beleri

Me anë të një kërkese drejtuar institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale Fier, Fredi Beleri, ish-kryetari i Bashkisë Himarë ka kërkuar leje për të marrë pjesë në sesionin e Parlamentit Evropian që po zhvillohet në Strasburg, Francë, konkretisht në datat 15-20 korrik.

I dënuar me 2 vite burg nga GJKKO, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm, Beleri shprehet në kërkesën e tij se i kanë mbetur dhe 3 muaj e 14 ditë nga masa e dënimit dhe se gjatë kohës së qëndrimit të burgun e Fierit, ka zbatuar rregulloren e brendshme të institucionit dhe se ka marrë pjesë në programet rehabilituese.

“Bazuar në nenin 72 te ligjit nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve", kërkuesi plotëson kushtet për të përfituar leje shpërblyese deri në 20 ditë në vit, të drejtë të cilën nuk e ka ushtruar asnjëherë”.

Pikërisht këtë argument parashtron Fredi Beleri në kërkesën e tij, duke shtuar se është njoftuar nga Parlamenti Evropian se duhet të jetë i pranishëm në sesionin që zhvillohet në Strasburg në datat 15-20 korrik.

Kërkesa që tashmë ndodhet në zyrën e Ervin Bushit, thotë ndër të tjera se Bushi si drejtues i institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, ka kompetencën e shqyrtimit të kësaj kërkese.

Video