S*ks në këmbim të drejtësisë, KPK shkarkon gjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boci

10 May 2022, 09:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

S*ks në këmbim të drejtësisë, KPK shkarkon gjyqtarin e

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin Guximtar Boçi, i cili në vitin 2016 u bë i njohur pas publikimit të një audio-përgjimi, ku atë kohë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë.

Kush është gjyqtari i Gjirokastrës, Guximtar Boçi:

Guximtar Boçi e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër. Në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD e shkarkoi Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës dhe e pezulloi atë si gjyqtar, pas publikimit të një audioje në emisionin “Stop”, ku ai akuzohej se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Në vitin 2017, prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe një vit më vonë ai fitoi pafajësinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Boçi ka kërkuar prej asaj kohe rikthimin në sistemin gjyqësor, por Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka rrëzuar kërkesat e tij.

Edhe gjatë seancës të mërkurën, relatori Lulzim Hamitaj konstatoi pezullimin e Boçit si gjyqtar dhe vërejti se një prej denoncimeve nga publiku kishte të bënte pikërisht me audio-regjistrimin e bërë publik nga emisioni “Stop”.

Boçi i filloi shpjegimet e tij lidhur me këtë gjetje. Ai theksoi se ishte pikërisht kjo çështje që kishte ndikuar tek grupi i punës së Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe të ILDKPKI-së. Ai deklaroi se statusin si i pezulluar duhej ta kishte pasur deri në vitin 2017, kur hetimi ishte pushuar me formë të prerë.

Subjekti e konsideroi transmetimin e audio-regjistrimit me qëllim diskriminimin e tij, pasi ishte zgjedhur edhe dita kur po zhvillohej dasma e vajzës. Boçi pohoi se shumica e ish-anëtarëve të KLD-së kishin kërkuar shtyrjen e seancës për t’u njohur me rastin dhe për t’u dëgjuar ai vetë, por sipas tij, kishte qenë insistimi i Ministrit të Drejtësisë së kohës që kishte ngulmuar dhe ishte dëgjuar një inspektore lidhur me atë çfarë ajo kishte dëgjuar nga bërja publike e rastit.

Ai pretendoi se trajtimi i çështjes në vijimësi nga emisioni “Stop” ishte presion dhe shantazh, por kur u pyet nga kryesuesja Bekteshi nëse kishte informacion se cili ishte qëllimi i shantazhit të pretenduar, Boçi tha se pas transmetimit, duhej që të pritej të konkludonin isntitucionet. “Me një regjistrim me kompjuter sulmuan familjen time,” tha ai.


Video