Kanosën me armë familjarët e kandidates së PS-së në Lezhë, dy persona në kërkim. Ulsi Manja paralajmëron Gjin Gjonin (VIDEO+EMRAT)

5 Maj 2025, 21:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ulsi Manja, Gjin Gjoni dhe sekuence nga ngjarja

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim Xhejson Seferaj, 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka, 40 vjeç, pasi dyshohet se kanë kërcënuar me armë familjarët e kandidates së Partisë Socialiste në Dajç, Klotilda Ndreca.

Ngjarja sipas policisë ndodhi mbrëmjen e të dielës, ku Seferaj dhe Gjoka fillimisht ndoqën me dy automjete familjarët e kandidates dhe më pas i kanë kanosur me armë, për pretendime që sipas tyre lidhen me fushatën elektorale.

“Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti”, njoftoi policia.

 


 

Për ngjarjen ka reaguar edhe drejtuesi i politik i PS-së për Lezhën, Ulsi Manja.

Ministri i Drejtësisë akuzon kandidatin për deputet të PD-së, Gjin Gjoni se duhet “të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë”. Manja thekson se “koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi”.

Reagimi i plotë i Ulsi Manjës:

Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, znj. Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.

Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke  manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë  së tij e jo të fshihet pas gishtit!

Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi.

Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar.

Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës.

Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.

Për ne socialistët, kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend:

-• Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin,

 - Në mëngjes do fillojnë të varin veshët,

 - Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale,

 - Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”

Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co!

Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime.

Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cënon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!


Video