Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në fshatin Ngraçan të Mallakstrës. 63-vjeçari Batjan Çelaj i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë.
Ngjarja u raportua nga policia ditën e sotme ku behët me dije se për rastin janë referuar materialet në Prokurori për vlerësim.
Burime bëjnë me dije se Batjan Çelaj është babai i Indrit Çelajt, i cili është vrarë më 22 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.
26-vjeç në atë kohë, Indrit Çelaj punonte si teknik për montimin dhe riparimin e kondicionerëve dhe u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Konflikti banal që çoi në tragjedi nisi për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit.
Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, pasi qëlluan të riun në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë para autoriteteve se është ai personi që qëlloi mbi 26-vjeçarin.
Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë Griseldo Kusin me 12 vite burg dhe me dy vjet burg vëllain tjetër, Albano Kusin.
Babai i të riut siç duket nuk ka mundur ta largojë dot dhimbjen nga zemra edhe pas tre vitesh duke i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike.
Në atë kohë, Batjan Çelaj shprehej tepër i pikëlluar për vrasjen e të birit, të cilin e konsideronte si një djalë shembullor.
"Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit . Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat . Çuni është vrarë në 11 paradite unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentat. Çunin e kishte marrë policia. Djali ishte në punë , punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët. Asnjë konflikt nuk ka pasur djali , ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten . Sikur të kisha fuqi nuk dija se ça mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua..." u shpreh askohe Batjan Çelaj në lidhje me vrasjen e të birit, Indritit.