Hakerat godasin sistemin e gjobave duke i fshirë, qytetarët do t’i paguajnë me kamatëvonesë

14 September 2022, 19:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hakerat godasin sistemin e gjobave duke i fshirë, qytetarët do

Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të një sulmi kibernetik nga jashtë Shqipërisë. Sipas kryeministrit Edi Rama pas tij qëndron Irani ku shënjestra e sulmit ishte sistemi TIMS duke bërë që të dalë jashtë funksionit.

Sulmi kibernetik ka nxjerrë jashtë funksionit edhe sistemin e gjobave të automjeteve. Burime për VoxNews thanë se është fshirë sistemi i gjobave dhe se qytetarët do paguajnë kamatvonesat.

Në rrugët e Shqipërisë shohim shpesh postoblloqe të policisë rrugore, të cilët nuk ngurojnë të gjobisin të gjithë shoferët në kundravajtje me rregullat e Kodit Rrugor. Shkeljet që bëjnë drejtuesit e automjeteve janë nga më të ndryshmet po ashtu si edhe vlera e gjobave. Një tjetër problem që rëndon qytetarët është fakti se nëse ata gjobiten brenda qytetit për shpejtësi, parakalim të gabuar, përdorim celulari etj, nuk kanë akses që të paguajnë gjobën në asnjë pikë postare.

Ata nuk përfitojnë as 20% më pak të vlerës, nëse gjoba paguhen brenda 5 ditësh siç parashikon ligji, por madje rrezikojnë që të paguajnë edhe kamatëvonesat, nëse sistemi kërkon shumë ditë që të rikthehet në normalitet.
Një burim zyrtar nga Policia e Shtetit tha për Vox News se nuk është fshirë asnjë gjobë, por pranoi se sistemi është jashtë funksioni. 

Në fakt gjobat janë edhe në blloqet e policave dhe nuk do të zhduken përgjithmonë, çfarëdo që të ndodh me sistemin, por problem mbetet kamatëvonesa që bie mbi xhepat e qytetarëve.

Si nisi sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë?

Në 15 korrik Shqipëria do të gjendej përballë një sulmi masiv kibernetik që vinte nga jashtë vendit. Të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platforma e shërbimeve online e-Albania u goditën duke detyruar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të mbyllën përkohësisht të gjitha shërbimet.

Qëllimi ishte i qartë; bllokimi i shërbimeve publike dhe grabitja e të dhënave nga serverat e e-Albania. Për disa ditë me radhë AKSHI nuk ofroi asnjë shërbim duke detyruar të gjitha zyrat shtetërore të bllokonin punët e tyre deri në zgjidhjen e problemit. Dy javë pas sulmit, AKSHI riktheu në funksion faqet dhe më vonë të gjitha shërbimet e platformës e-Albania.

Si u zbuluan se kush fshihej pas këtij sulmi?

Në 20 korrik kryeministri Edi Rama do të njoftonte se të dyshuar për sulmin ishin dy vende jomiqësore me Shqipërinë.

Në 21 korrik, Departamenti i Shtetit do të njoftonte se Samiti i Iranit të Lirë që do mbahej në kampin e muxhahedinëve në Manëz rrezikohej nga një sulm. Samiti do mbahej në datat 23 dhe 24 korrik, por që organizatorët me sugjerim të autoriteteve shqiptare vendosën ta anulojnë.

Në 8 gusht, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do njoftonte se pjesë e hetimit për zbulimin e autorëve të sulmit kibernetik ishte edhe FBI-ja amerikane. Pas hetimeve gati dymujore me ndihmën edhe të hetuesve amerikane u faktua se sulmi ishte kryer dhe sponsorizuar nga Irani.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video