Është zbardhur dëshmia e Arjan Tases, punonjësi i Policisë së Elbasanit, i cili aksidentoi për vdekje me skaf një vajzë 7-vjeçare ditën e sotme në plazhin e Himarë.
I marrë në pyetje nga një oficer i SHÇBA-së, mësohet se ai ka pranuar autorësinë e krimit. Ai ka deklaruar se në momentin kur ka goditur vajzën 7-vjeçare, gomonia ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme duke bërë një rrotullim në vend. Sipas tij, për shkak të këtij rrotullimi, vogëlushja është goditur nga helikat e gomones.
Ndër të tjera, Arjan Tase ka deklaruar se gomonia i përket djalit të xhaxhait të tij dhe ka shkuar e ka marrë në mëngjes me në Porto Palermo. Më pas, ai ka shkuar me gomone nga Porto Palermo drejt Potamit për të marrë familjen për ta nxjerrë shëtitje. Teksa familja e policit ka hipur në gomone, Arjan Tase, i ka dhënë gomones mbrapsht për të dalë bregu në det. Pikërisht në këtë moment sipas tij gomonia ka marrë së tepërmi gaz, duke bërë një rrotullim të menjëhershëm në vend.
Para oficerit të ShÇBA-së, Arjan Tase ka deklaruar se është i pajisur me leje drejtimi të mjeteve lundruese.
Pas tragjedisë ai u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit. Hetimet deri në këtë fazë po ndiqen për akuzën e "vrasjes nga pakujdesia".