Seanca për dosjen “Sterilizimi” është shtyrë për në datë 11 shtator. Burime bëjnë me dije se në procesin gjyqësor edhe gjykata nuk ka qenë gati për t’u shprehur mbi kërkesat e palëve.
Prokuroria e Posaçme kërkoi rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në këtë proces.
Gjatë seancës, prokurori Edvin Kondili u shpreh se kërkesat e Beqajt, përmes të cilave kundërshtohen akuza dhe veprimet procedurale të organit hetues, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen.
Sipas SPAK, në shumicën e rasteve pretendimet e të pandehurit kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimeve, në seancën paraprake dhe në vendimin e gjykatës që pranoi kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim.
Lidhur me kërkesën për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës, SPAK argumentoi se ajo nuk mbështetet në ligj.
“Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak me vendimin për pranimin e kërkesës për gjykim”, u shpreh prokurori.
Sa i përket pretendimit të Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, prokuroria tha se i pandehuri nuk paraqet kërkesa konkrete, por ngre pyetje që, sipas saj, janë sqaruar dhe do të trajtohen në konkluzionet përfundimtare të palëve.