Në seancën e sotme të procesit gjyqësor për çështjen “Gërdeci”, është shënuar një përplasje e fortë mes avokatit Ardian Visha dhe familjarëve të Erison Durdës, 7-vjeçarit që humbi jetën në shpërthimin tragjik të vitit 2008.
Gjatë fjalës së tij, avokati Visha u shpreh se legjitimimi i palëve të viktimave në proces është bërë në shkelje të ligjit, duke vënë në dyshim rolin e përfaqësuesit ligjor të tyre.
“Përfaqësuesi i viktimave është drejtues i një shoqate të financuar nga Soros, konkretisht ‘ResPublica’, ndërkohë që klienti im përfaqëson një subjekt politik që ka shprehur qëndrime të hapura kundër Soros. Kjo organizatë, që prej krijimit të saj në vitin 2010, ka ushtruar ndikim të dukshëm për të hapur këtë çështje”, deklaroi Visha.
Në këtë moment ndërhyri vëllai i viktimës Erison Durda, i cili ofendoi avokatin, duke shkaktuar tension në sallë.
Visha kërkoi nga gjyqtarja Irena Gjoka përjashtimin e palës së viktimave nga seanca për shkak të fjalorit të papërshtatshëm, por kërkesa nuk u pranua.
Nga ana e tij, ish-ministri Fatmir Mediu u ankua se prej më shumë se një viti e gjysmë avokatët e tij depozitojnë kërkesa që nuk marrin përgjigje, duke e cilësuar procesin si të politizuar.
“Ka një qasje politike në raport me çështjen. Një strukturë e ndërtuar politikisht që nga viti 2010, vetëm për këtë rast, nuk mund të jetë pjesë e këtij procesi. Këtë fakt nuk mund ta injoroni. Ju kërkoni të vijojmë sikur çdo gjë është normale”, tha Mediu.
Avokatët e tij, mes tyre Henrik Ligori, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Gjoka dhe ndërprerjen e procesit gjyqësor deri në marrjen e një vendimi mbi kërkesat e paraqitura.
“Këtu është fyer drejtësia, jo vetëm kjo trupë gjykuese që ndodhet sot këtu. Është e pamundur të vijojmë procesin në këto kushte”, deklaroi Ligori.