Sotir Kllapi, prokurori i Posaçëm i dosjes “Meta”, ka hyrë në garë për kreun e SPAK.
Kllapi, i cili firmoi për arrestimin e Ilir Metës, i cili u vendos në pranga më 21 Tetor 2024, deri më tani është emri i 5-të i zyrtarizuar si kandidat për kreun e ri të SPAK.
Kandidaturën e kanë dorëzuar edhe prokurorët e posaçëm: Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj, Adnand Xholi.
Afati për paraqitjen e kandidaturave për postin drejtues të SPAK përfundon sot, duke i hapur rrugë më pas procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kreu i ri i SPAK pritet të zëvendësojë prokurorin Altin Dumani, mandati i të cilit është drejt përfundimit.
Interesi për këtë pozicion të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë ka qenë i lartë, duke reflektuar peshën që SPAK ka marrë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përvoja profesionale e prokurorit të posaçëm, Sotir Kllapi:
19.05.2020 – aktualisht – Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
dhjetor 2013 – 19.05.2020 – Drejtues/Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
2012 – dhjetor 2013 – Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.