Sherri i dhunshëm i një ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë ka bërë që policia të arrestojë 4 persona dhe të shpallë në kërkim 3 të tjerë.
Policia ka ndaluar Ineidi Rraja 23 vjeç, Eni Kullaj 27 vjeç, Kujtim Përdaku 57 vjeç dhe Andi Rraja 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Me shkopinj gome, grushta e madje edhe me armë, grupi i fisit 'Rraja' futen në ambientet e brendshme të lokalit dhe qëllojnë pa mëshirë Bilbil Maja dhe Jashar Maja (vëllezër) dhe shkak është bërë një gurore në Borizanë, të Krujës.
Në këtë video të shkëputur nga ngjarja, shihet se Xhelal Rraja, Përparim Rraja, dhe disa anëtarë të tjerë të këtij fisi qëllojnë me shkop bejsbolli njërin nga vëllezërit Maja. Madje, siç shihet edhe në video, edhe pse Maja rrëzohet në tokë nga goditjet e forta, dhuna ndaj tij nuk ndalet.
Dy vëllezërit e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja dhe djali i këtij të fundit, rrahin me shkopa bejsbolli dhe kërcënojnë me pistoletë dy persona të fisit Maja që ishin ulur në një lokal.
Shkak i sherrit mësohet se është bërë konflikti për një gurore në Borizan. Më konkretisht anëtarë të fisit Maja janë ankuar dhe kanë denoncuar në polici për tronditjet që u japin shpërthimet dhe dëme në banesa.
Kjo ka sjellë dhe “hakmarrjen” e Rrajave. Xhelal Raja e Flamur Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së, Rahman Rraja, si dhe djali i këtij të fundit, Rexhep Rraja, kanë ushtruar dhunë barbare ndaj dy personave, sic shihet në videon që sjell VoxNews.
Vec kësaj, me bluzë të bardhë në foto shfaqet Flamur Rraja, vëllai i deputetit të PS-së, që i drejton pistoletën në kokë një prej të dhunuarve.

Njoftimi i policisë:
Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar.
Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:
– I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.
Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.