FOTO/ E kishin kthyer qendrën në “fole” prostitucioni, arrestohen 4 masazhatore

20 Mars 2023, 11:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mësohet se 4 shtetase të punësuara në një qendër masazhesh, ku një prej tyre ishte dhe administratore, janë vënë në pranga për veprimtarinë e prostitucionit.

Në kuadër të një operacioni të koduar policor janë sekuestruar menjëherë shumat prej  351.000 lekë të reja dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Gjithashtu është raportuar se janë proceduar dhe 4 klientë. Ndërkohë policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacioni policor i koduar "Inside". 

Kishin përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, vihen në pranga 4 shtetase, njëra prej tyre administratorja e qendrës.

Procedohen në gjendje të lirë 1 shtetase e punësuar në qendrën e masazheve dhe 4 shtetas të tjerë. 

Sekuestrohen 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme. 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Inside", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve: 

- Xh. K., 28 vjeçe, B. K., 23 vjeçe, A. P., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.  

Shtetasja Xh. K. administronte një qendër masazhesh, në rrugën "Margarita Tutulani", në të cilën, përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.     

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. R., 31 vjeçe, punonjëse në këtë qendër masazhesh, si dhe për shtetasit E. A., 27 vjeç, E. C., 34 vjeç, S. M., 32 vjeç dhe A. P.,  28 vjeç, klientë në këtë qendër masazhesh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Video