Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural u është përgjigjur akuzave në lidhje me dhënien e mbështetjes financiare për ndërtimin e një sere tek inceneratori nga fondet e IPARD. Agjencia thotë se ashtu si në çdo rast, edhe këtë herë ka zbatuar ligjin dhe kriteret e vendosura për aplikuesit për këto fonde, pa bërë dallime.
Në deklaratë, Agjencia i cilëson akuzat si tendencioze dhe përbaltje e punës së saj, që në vitet e fundit ka dhënë një kontribut të qënësishëm në zhvillimin e bujqësisë shqiptare.
Për më tepër, deklaron AZHBR, Agjencia është e akredituar nga Bashkimi Europian dhe si kriteret, qoftë edhe ligji vëzhgohet e monitorohet nga BE. Deklaratat e Ilir Metës në lidhje me rastin në fjalë, Agjencia i cilëson sulme politike pa asnjë bazë.
“Alibia e papërgjegjshme e ngritur si një sulm politik mbi administrimin e AZHBR dhe ‘keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian’ është pa asnjë bazë, e pavërtetë dhe e dënueshme”, thotë deklarata.
Agjencia deklaron se “për çdo thirrje për aplikime ka marrë të gjitha masat për të orientuar dhe informuar aplikantët mbi Programin në mënyrë që të rritet mundësia për aplikime të suksesshme. Është hartuar Udhëzuesi për Aplikantët i cili është bërë publik së bashku me dokumentat standarde të aplikimit, dhe janë kryer fushatat informuese në të gjitha qarqet e vendit, ku në transparencë të plotë janë informuar aplikantët”.
“Në zbatim të manualit të procedurave dhe Udhëzuesit për Aplikantët AZHBR shqyrton dhe verifikon gjendjen ligjore dhe financiare të subjekteve aplikantë duke kërkuar dokumenta qartësisht të përcaktuara për të gjithë aplikantët njëlloj pa asnjë trajtim të diferencuar. Kryen verifikimin e pastërtise së figurës së aplikantit nëpërmjet dokumenteve si:
-Vërtetim nga Ministria e Drejtësisë që aplikanti nuk ka qënë i dënuar më parë.
-Vërtetim nga Prokuroria që aplikanti nuk është në hetim.
Kryen verifikimin financiar nëpërmjet dokumentave si:
-Pasqyra e të ardhurave
-Licenca për ushtrimin e veprimtarisë bujqësore
-Libra inventaresh për të gjithë pasuritë fikse të zotëruara nga subjektet
Dokument nga Banka e Shqiperisë për të verifikuar se subjektet aplikante nuk janë
kredimarrës të këqinj.
Bazuar në Udhëzuesin për aplikantë, thotë AZHBR, çdo projekt verifikohet dhe përjashtohet nga granti vetëm nëse:
- Janë të falimentuar ose në proces likujdimi, nëse aktiviteti i tyre administrohet nga gjykata, nëse kane hyrë në marrëveshje me kreditoret, nëse kanë pezulluar veprimtarinë ekonomike apo nëse janë në proces gjyqësor lidhur me të tilla cështje.
- Janë dënuar për një kundravajtje lidhur me sjelljen e tyre profesionale nga një vendim gjyqësor i formes së prerë.
- Nuk kanë përmbushur detyrimet lidhur me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore ose pagesën e taksave
- Janë gjykuar me vendim Gjyqësor të formës së prerë për mashtrim, korrupsion, përfshirje në një organizatë kriminale apo cfarëdolloj veprimtarie tjetër të pa ligjshme që demton interesat financiare të B.E.
- Janë aktualisht subjekt i nje gjobe adminisrative të përmendur në nenin 96 (1) të Rregullores Financiare.
“Në kushtet kur projekti nuk kategorizohet në asnje nga pikat e sipër përmendura AZHBR nuk ka kompetencë investigimi apo hetimi të proceseve por të konfirmojë bazuar në dokumentacionin provues nga institucionet kompetente. Subjektet e përmendura i janë nënshtuar verifikimit të plotë mbi statusin juridik, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria/gjykata që nuk është subjekt nën hetim, si dhe kanë depozituar dokumentat që vërtetonin posedimin e ligjshëm të tokës objekt aplikimi, në përputhje me kriteret e aplikimit të cilat janë të njëjta për të gjithë”, thuhet në deklaratë.
Agjencia shton se të gjitha këto dokumente janë kërkuar për subjektet që përmenden në media dhe janë konform rregullave dhe kërkesave të akredituara.
“AZHBR është një institucion i akredituar nga Bashkimi Europian dhe i monitoruar përmes filtrave të kontrolleve të brendshme e të jashtme nga disa institucione për respektimin dhe zbatimin me përpikmëri të kritereve të programit, politikave bujqësore dhe akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara në zbatim të tyre. Deklaratat e bëra ditët e fundit në media janë baltë e hedhur mbi AZHBR, për interesa politike dhe personale të individëve që i bëjnë ato, krejtësisht të pavërteta. Këto abuzime me tendencë nuk do të arrijnë të përbaltin kurrë punën intensive dhe me dedikim të 250 punonjësve të cilët kanë arritur ta kthejnë AZHBR në një institucion model në vend për efektivitet dhe transparencë”, mbyllet deklarata.