Faqet e institucioneve shqiptare nën sulme kibernetike nga Rusia

13 October 2023, 20:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Faqet e institucioneve shqiptare nën sulme kibernetike nga Rusia
Foto ilustruese

Faqet e disa institucioneve shqiptare ndodhen prej ditësh në sulm të vazhdueshëm nga një grup hakerash.

Së fundmi, shënjestër e hakerave është bërë faqja e Shërbimit Informativ Shqiptar, duke sjellë vështirësi në aksesimin e saj.

Sipar raportimeve, sulmet janë duke u kryer nga “IT Army of Russia” që flitet se ka lidhje edhe me inteligjencën ruse.

Në një postim në gjuhën ruse në kanalet e tyre, këta hakera kanë bërë thirrje për vijimin e sulmeve ndaj faqeve të institucioneve shqiptare, përfshirë edhe SHISH, me qëllim që t’i nxjerrin përkohësisht jashtë shërbimit.

Faqet e institucioneve shqiptare nën sulme kibernetike nga Rusia
Faqja jashtë funksionit e SHISH

“Mirëmbrëmja CyberArmy, ne po mundohemi të vazhdojmë punën tonë modeste me Shqipërinë. Ne po mundohemi të rrëzojmë Shërbimin Informativ Shtetëror – Policinë e Shtetit. Le të sulmojmë”, thuhet në një prej mesazheve të hakerave rusë.

Sulmet kibernetike ruse ndaj Shqipërisë kanë nisur që prej përplasjes së kryeministrit Edi Rama me ambasadorin e Rusisë në OKB, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit ku ishte i ftuar të fliste presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky.

Sulmet kanë qenë konstante edhe gjatë ditës së sotme, ku faqet herë janë bërë të paaksesueshme dhe herë janë rikthyer, çka mund të tregojë se bëhet fjalë për një sulm të llojit “DDoS”.

Faqet e institucioneve shqiptare nën sulme kibernetike nga Rusia
Mesazhi në kanalet ruse për të sulmuar faqen e SHISH


Video