Edukatorja i theu këmbën 3-vjeçares në kopësht/ AMP nis hetimet për 4 efektivët, dyshimet për ryshfet!

9 Nëntor 2023, 11:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Majlinda Dehima

Agjencia e Mbikqyrjes Policore, ka nisur hetimet për 4 efektivët e Komisariatit nr.1, në kryeqytet, lidhur me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në kopshtin privat “Stinët”, ku edukatorja, Majlinda Dehima, dhunoi në mënyrë makabër 3-vjeçaren deri në thyerjen e këmbës.

Për 3 efektivët e pezulluar nga Policia, Rustem Dervishi, Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj, gjithashtu edhe për një tjetër efektiv i cili ditën e denoncimit ka qenë në krye të detyrës, tashmë ka nisur hetimi. Të katërt këta shtetas janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se kanë neglizhuar çështjen, duke thënë se do të vijonin hetimin ditën e nesërme.

Ndërkohë, AMP ka dyshime se këta efektivë nuk kanë verifikuar dokumentacionet e kopshtit, i cili më vonë rezultoi se ishte i palicensuar nga Ministria e Arsimit.  Hetimet po vijojnë për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë marrë ryshfet nga pronari i kopshtit për të lehtësuar pozitat e këtij të fundit apo jo.

Emisioni “Stop” publikoi dy ditë më parë pamjet e tmerrshme ku 3-vjeçarja shihej teksa dhunohej në kopshtin privat në Tiranë “Stinët”. Edukatorja Majlinda Dehima shihej teksa dhunonte të miturën derisa e vogla përfundoi me këmbë të thyer në Spitalin e Traumës.

Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Arsimit, të cilët pas verifikimeve të bëra rezultoi se kopshti “Stinët” ishte i palicensuar. Si rrjedhojë u bë i mundur edhe mbyllja e këtij kopshti. Sakaq, edukatorja Majlinda Dehima u shoqërua në Komisariat ku dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve” për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare.

Në dëshminë që ajo dha para uniformave blu tha se e kishte goditur vajzën me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim teksa shtoi se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë.

Jo më larg se mbrëmjen e djeshme një tjetër video u publikua nga emisioni investigativ “STOP”. Nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë në dhomën e fjetjes së kopshtit u pa qartë sesi vajza dhunohet nga edukatorja deri në thyerjen e këmbës.

Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores ndaj të miturës, ku nuk nuk kursehet aspak, deri në përdorimin e fjalëve si “sharabajgë”.


Video