Personat që shihni në foton e mësipërme janë efektivi Ermir Doda dhe 32-vjeçari Redon Skutera, që kanë marrë pjesë në dhunimin e gazetarit Adriatik Doçi, pranë banesës së tij në Kamzë.
Skutera dyshohet se e ka goditur disa herë me grushte Doçin për shkak të detyrës, ndërsa Doda e ka larguar nga vendi i ngjarjes me motor dhe dyshohet se ka mbajtur nën vëzhgim gazetarin për disa ditë.
Redon Skutera u arrestua ditën e djeshme, ndërsa efektivi i policisë Ermir Doda është shpallur në kërkim për veprën penale "përkrahje të autorit të krimit", ndërsa pritet të përjashtohet nga policia.
Report tv raporton se nga hetimet e deritanishme, rezulton se Redon Skutera, emri i parë i të cilit është Redon Pëllumbi, është një person me precedentë kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është arrestuar një vit më parë për plagosje me me dashje kundrejt pagesës, por nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë. Skutera, i cili dyshohet se përdoret nga grupet kriminale në Tiranë, është arrestuar edhe për lëndë narkotike.
Sipas burimeve, 32-vjeçari nga Berati kërkohet në Holandë për trafik droge. Ndërsa, efektivi Ermir Doda dyshohet se shërben si rojë edhe pranë një grupi krimal në Tiranë. Hetuesit kanë bindjen e plotë se gazetari është goditur për shkak të detyrës. Redon Skutera ka pranuar autorësinë e sulmit, madje ka nisur të sajojë disa alibi për shkakun. Gazetati Doçi ka deklaruar se nuk i njeh dhe nuk i ka dëgjuar kurrë as edhe si emra Ermir Dodën dhe Redon Skuterën.