Dy vjet pas vrasjes së Egli Progës, Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 5 persona.
Me përfundimin e hetimeve, Denis Meçe dhe Leonidha Guçe, akuzohen për vrasje me dashje ndërsa Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku, akuzohen për moskallëzim krimi dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Ndaj dy të akuzuarve për vrasjen me dashje të kryer në bashkëpunim, gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që tre të akuzuarit e tjerë po hetohen me masa më të lehta sigurie, “detyrim paraqitje”.
Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por 9 muaj pas vrasjes Prokuroria zbuloi se edhe ai kishte marrë pjesë në rrahjen brutale të Progës, bashkë me Denis Meçen.
Proga është dhunuar brenda lokalit nga Leonidha Guçe e më pas është goditur kur ka dalë nga lokali dhe nga Denis Meçe. Këto të dhëna u zbuluan gjatë rrëfimit të të pandehurve dhe ballafaqimit të tyre në dhomat e paraburgimit.
Vetëm një pjesë e kamerave ishte arritur të rikuperohet nga Prokuroria e Korçës, si në lokalin ku ndodhi ngjarja, por edhe të një marketi përballë.
Pamjet dyshohet se ishin fshirë nga pronari i lokalit Voltan Shkullaku dhe Leonidha Guçe e Arjan Manellari, duke përdorur një virus kompjuterik.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se 42-vjeçari kishte vdekur si pasojë e hemorragjisë cerebrale në cipën e trurit, e shkaktuar nga goditja me grusht.
Përveç ekspertizës mjeko-ligjore, Prokuroria mbështeti akuzën ndaj personave të përfshirë në vrasje edhe mbi dëshmi e ekspertimin e kamerave të bizneseve që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes.
Vrasja e Egli Progës, e ndodhur në 10 gusht të vitit 2024, solli përplasje mes policisë dhe gjykatës, ndërkohë që familjarët e viktimës kërkuan që hetimi të përfshinte jo vetëm të akuzuarit, por edhe strukturat e policisë lokale.
Si ndodhi vrasja e Egli Progës?
Vrasja e 42-vjeçarit Egli Proga, babai i dy fëmijëve, dhe mënyra se si policia trajtoi ngjarjen irritoi opinionin publik. Qytetarët u ngritën në protesta dhe me qirinj e fotot e Eglit në duar, kërkonin drejtësi. Denis Meçe i kërkoi disa herë Progës që t’i dridhte një cigare dhe pasi ky i fundit ia bëri gati i tha të shkojë ta marrë, por Meçe u fut në lokal dhe debatuan.
Aty është qëlluar nga Leonidha Guçe dhe pasi ka dalë jashtë, Denis Meçe e goditi me grusht Progën, koka e të cilit u përplas me një makinë të parkuar dhe në asfalt. Disa minuta më vonë mbërriti ambulanca, dhe pasi u transportua në spital, u konfirmua i vdekur. Ekspertiza e mjekësisë-ligjore nxori si shkak të vdekjes hemorragjinë në cipën e trurit dhe hemorragjinë në indin trunor.