Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 40-të radhazi, duke u kthyer në mobilizimin më të gjatë qytetar në Shqipëri.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku prej 40 mbrëmjesh zhvillohen tubime të përditshme.
Edhe këtë të enjte, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet që kanë shoqëruar protestën që nga dita e parë, mes tyre: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria Kërkon Revolucion”.
Lëvizja nisi fillimisht si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik pranë Lagunës së Nartës, zonë e mbrojtur e njohur për popullatën e flamingove.
Megjithatë, me kalimin e javëve protesta është zgjeruar, duke përfshirë kërkesa që lidhen me arsimin, shëndetësinë, punësimin, koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu më shumë transparencë për projektet e mëdha publike dhe hetime për rastet e dyshuara të korrupsionit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.