Pra nga një kompani e falimentuar në vitin 2014, me xhiro minimale, HTM, pasi shitet e blihet mes Plator Mehmetit dhe Ilir Tabakut pezullohet. E më pas me ardhjen e rilindjes në pushtet dhe emërimit të Mehmetit si drejtor OSHEE-je për kompaninë nis lulëzimi. Miliona euro të marra në shkelje të ligjit, në konflikt interesi e pa garë shkojnë drejtëpërsëdrejti në xhepat e zyrtarëve socialisë që me rregull janë aty për të garantuar efikasitetin e fondeve. Veç korrupsionit ulëritës, abuzimit me miliona euro fonde, gjithçka ka një qëllim, sigurimin e parave të pista për të blerë zgjedhjet. Personat e përmendur në këtë material, rezultojnë edhe personazhet kyçe të Partisë Socialiste për qytetin e Durrësit.
Deri këtu ndoqëm vetëm një linjë, por nuk mbaron me kaq. Në vijim do ju tregojmë se HTM nuk është e vetmja kompani përthithese të milionave euro elektorale, por ka edhe më shumë…
REAR shpk, është kompania tjetër me pronësi dhe lidhje të pakundërshtueshme me Plator Mehmetin, që gjithashtu ka përfituar qindra milionë lekë nga prokurimet publike, ose qëllimi i vetëm i ekzistencës kanë qenë pikërisht qarkullimi i miliona lekëvë të përfituara nga tenderat.
Edhe në këtë rast, kompania fshihet pas një ‘presta nome’, por mbas tij në kompani rezultojnë të punësuar edhe familjarët e Plator Mehmetit.
REAR Shpk thmelohet në vitin 2005 nga shtetasi Nebi Meçaj. Meçaj, edhe pse sot rezulton i punësuar si kuzhinier dhe bashkëshortja faturiste në UKD, në vitin 2005 themelon një kompani import- eksport materiale elektrike, e për koiçidencë si emër për kompaninë zgjedh të përdor gërshetimin e emrave të vajzave të Plator Mehmetit. Redona Mehmeti dhe Arba Mehmeti, që gjithashtu rezultojnë punonjëse të kompanisë së themeluar nga një kuzhinier. Por jo vetëm kaq, por pjesë e kësaj kompanie janë edhe Adnad Mehmeti, vëllai i Plator Mehmetit, apo sot kompania REAR rezulton në pronësi të Spartak Mehmetit, kushëri i drejtorit të OSHEE. E thënë më thjeshtë, sipas shkresave zyrtare, i gjithë rrethi familjar i Plator Mehmetit, rezulton i punësuar në kompaninë e një kuzhinieri. Apo të paktën kështu tentohet kamuflimi përballë institucioneve të drejtësisë, që kanë mbyllur sytë ndaj abuzimeve miliona euro.
Dy vite pas themelimit, në vitin 2007, kuzhinieri Nebi Meçaj shet aksionet për 100 mijë lekë, dhe blerës është Emiljano Haxhiu. Këtu nis edhe identifikimi dhe lidhja e parë mes kompanisë REAR dhe Plator Mehmetit. Emiljano Haxhiu rezulton vëllai i shetases Ermira Mehmeti (Haxhiu). Nga investigimi i Plug rezulton që ish-bashkëshortja e shtetasit Plator Mehmeti ka emrin Ermira por mbiemër Berisha. Nuk rezulton asnjë zonjë tjetër me të njëjtën atësi dhe mëmësi dhe me mbiemër Mehmeti apo Haxhiu. Pra me këtë logjikë ish- kunati bëhet mbajtësi i parë i aksioneve të kompanisë familjare. Në maj të vitit 2011 kryhet edhe transaksioni i parë brenda familjes, ku Emiljano Haxhiu i shet 100% të aksioneve Plator Mehmetit në vlerën 19.000.000 lekë. Sipas dokumentacionit të depozituar, Plator Mehmeti e ka kryer pagesën me bankë. Por nga investigimi I Plug rezulton se Emiljano Haxhiu e ka paditur shtetasin Plator Mehmeti pasi sipas një kontrate noteriale po të datës 04.05.2011 ai i detyrohet 11.000.000 lekë. Pra veprimet bankare rezultojnë të jenë fiktive. Në nëntor të vitit 2011, kryhet një tjetër transaksion i dyshimtë brenda familjes ku Plator Mehmeti i shet aksionet të atit, Qani Mehmeti në vlerën 5 milionë lekë, ndërkohë që kapitali i kompanisë ishte 35 milionë lekë apo 6 herë me e madhe se shifra për të cilën kompania kaloi nga i biri tek i ati. Edhe pse kontrata për këtë transaksion është noteriale, të dhënat në këtë kontratë janë të rreme. Në datën 30.09.2013, pas ardhjes së Rilindjes në pushtet Plator Mehmeti largohet edhe si administrator i kompanisë, tashmë në pronësi të babait të tij. Dhe në vend të tij administrator emërohet Ilir Tabaku, që në të njëjtën kohë ishte pronar i kompanisë HTM.
Në këtë periudhë, pra pas marrjes së detyrës në OSHEE nga Plator Mehmeti, kjo kompani do të denoncohej edhe në media për marrje të tenderave abuziv. Një prej tyre me vlerën e 300 mijë dollarëve nga Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas denoncimeve të kohës, tenderi për blerjen e transformatorëve dhe materialeve për nevoja emergjente ka ngritur hije dyshimi për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit.
Në tetor të vitit 2018 do të vijonin transaksionet e dyshimta brenda familjes. Qani Mehmeti për arsye shëndetësore i dhuron 100% të aksioneve bashkëshortes së tij Teuta Mehmeti.
Në tetor të vitit 2019 Teuta Mehmeti, sërish për arsye shëndetësore ja dhuron aksionet në vlerë 63.000.000 lekë nipit të burrit shtetasit Spartak Mehmeti i cili dhe pse pronar i një kompanie shumë fitimprurëse, rezulton punëtor në një Agjenci Doganore. Nga viti 2006 kur u themelua e deri në vitin 2023, xhiroja e kompanisë përllogaritet në mbi 1. 3 miliardë lekë apo 13 milionë euro, e kryesisht të ardhurat janë nga prokurimet publike. Ndërkohë për periudhën 2019-2023, kur HTM njeh lulzimin e saj me gati 25 milionë euro tendera, kompania REAR deklaron të ardhura vetëm nga qeradhënia. Sipas të dhënave në linkedin sot i larguar nga detyrat shtetërore Plator Mehmeti, rezulton punonjës i kompanisë REAR, kompani e themeluar nga një kuzhinier, e shitur dhe blerë disa herë brenda familjes së tij dhe si emër mban inicialet e dy vajzave të tij.
Bilancet
Viti Xhiro Fitim
2006 16.629.000
2007 49.098.000 5.072.000
2008 103.987.00015.597.000
2009 125.715.00010.235.000
2010 152.971.000 15.591.000
2011 121.226.000 18.530.000
2012 90.493.000 15.920.000
2013 79.793.000 8.200.000
2014 129.926.000 9.124.000
2015 155.580.000 17.152.000
2016 116.972.000 23.900.000
2017 92.040.000 14.095.000
2018 15.700.000 600.040 depozitë 30.000.000
2019 5.200.000 -2.000.000 --------
2020 8.724.000 4.500.000 --------
2021 12.588.000 4.051.000 depozitë 30.000.000
2022 12.420.000 2.246.000 depozitë 30.000.000
2023 8.260.000 2.151.000 depozitë 30.000.000
Pra një drejtor i nivelit të dytë, i dënuar disa herë për abuzime me fondet publike dhe vjedhje, rezulton direkt dhe indirekt pronar i dy kompanive, që gjatë periudhës së rilindjes përllogriten të kenë xhiruar 38 milionë euro. Por merita më e madhe e Plator Mehmetit, Dorjan Babës, Ilir Tabakut nuk është vetëm përthithja abuzive e milionave nga taksat e qytetarëve, por angazhimi dhe mirëmenaxhimi i këtyre parave gjatë fushatave elektorale. E ndërsa SPAK na njofton për ngritjen të Task-Forcës elektorale, le të shpresojmë që do e ketë parë këtë emision, për të kuptuar se krimet elektorale nuk hetohen me njoftime për median por hetime, që bllokojnë që në gjenezë milionat e korrupsionit që tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve. /Syri.Tv