Qytetarët kanë vijuar protestën në ditën e dhjetë të saj me një pjesëmarrje masive.
Pasi kanë qëndruar për disa orë para Kryeministrisë, me thirrjet ‘Shqipëria e Re’, ‘Rama në burg, Berisha në burg’, protestuesit kanë marshuar sërish në rrugët e kryeqytetit.
Ndryshe nga ditët e kaluara, protestuesit janë shpërndarë në disa akse mbrëmjen e sotme. Disa nga “rruga Elbasanit”, një pjesë kanë vijuar nga bulevardi drejt bashkisë së Tiranës dhe rrugës së Barrikadave dhe kanë dalë sërish për në ish-Bllok.
Ndërsa grupe të tjera kanë vijuar drejt zonës së ish-stacionit të trenit dhe drejt Zogut të Zi.
Një tjetër grup është zhvendosur përgjatë rrugës së Kavajës, drejt Pazarit të Ri dhe Bulevardit pranë Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, qytetarët janë shoqëruar me thirrje dhe pankarta, ndërsa nuk kanë munguar edhe përshëndetjet nga drejtues të automjeteve që kanë qenë në lëvizje në këto akse kryesore të Tiranës
Të mërkurën me rastin e 148 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit është lajmëruar një protestë kombëtare ku janë ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria për t’u bërë pjesë e saj.