"Ne e ngritëm dhe vetëm ne mund ta rrëzojmë Edi Ramën" - Stomatologia: Gjithë koleget e mia janë larguar nga Shqipëria, se nuk paguhemi

9 Qershor 2026, 20:37Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një nga folëset në podiumin e protestës së sotme ishte edhe një stomatologe që tha se ndihej e revoltuar nga situata që po përjeton vendi përballë vështirësive social-ekonomike dhe skandaleve qeveritare.

Ajo nënvizoi se ata janë populli, ata e ngritën Ramën dhe vetëm ata mund ta rrëzonin të bashkuar dhe të pa ndalur.

“Jam nënë, jam e revoltuar këtu në këtë podium, për shumë e shumë arsye, për shumë përballje në dyert e spitaleve, që janë të gjithë të korruptuar, pa përjashtim”, tha ajo teksa recitoi edhe disa vargje të aktorit të ndjerë Mirush Kabashi: “Jam shqiptar”.

Më tej vijoi duke apeluar për protesta të pandalshme deri në rrëzimin e qeverisë.

“Le të ngrihemi të gjithë, sot më shumë e nesër më shumë. Ky vend drejtohet vetëm nga ne, ne e ngritëm këtë njeri dhe vetëm ne mund ta ulim këtë njeri”, tha ajo.

Në fund stomatologia renditi edhe arsyet përse shumica e shqiptarëve largohen nga vendi.

“Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjitha nënat të cilat për arsye shumë e më shumë bredhin dyerve e presin fëmijët e tyre, që nga 2016 që janë larguar të gjithë jashtë, të gjitha koleget e mia.

Për çfarë arsye, për pagat, se nuk paguhemi. Nuk mund të na mbajnë peng, nuk duhet të dorëzohemi, sot më shumë, nesër më shumë, pasnesër edhe më shumë”, përfundoi ajo.


Video