Detaje nga vrasja në Kamëz/ Lulzim Visha kishte përplasje me Ervis Lamin për një pronë

25 Janar 2025, 15:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktima Lulzim Visha

Policia njoftoi se ka arrestuar një person si të dyshuar për atentatin e djeshëm në Zall Mner dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Në pranga përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç pas dyshimeve se ka lidhje me vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha punonjës i një poste private, ndërkohë që zyrtarisht ndaj tij është ngritur akuza penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Në kërkim është shpallur kushëriri i tij, Ervis Lami. Një prej emrave më të rrezikshëm të botës së krimit në vend, i dyshuar për një duzine krimesh të rënda, të ndodhura në Tiranë, Krujë, Durrës e jug të vendit.

Arrestimi i Eduart Lamit u krye, pasi gjatë kontrollit të banesës së kushëririt të tij, Ervisit në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, u sekuestrua një armë armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok. Në oborrin e banesës po ashtu u gjetën 4 gëzhoja armësh.

Arma është dërguar për ekspirtim në laborator shkencor dhe nëse rezulton se është e njëjta që u përdor në atentatin ndaj Vishës, ndaj dy kushërinjve do të ngrihet zyrtarisht akuza e vrasjes, kryer në bashkëpunim.

Dyshimet se dy djemtë e xhaxhallarëve janë autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Visha, nisen nga fakti se mes Ervis Lamit dhe Lulzim Vishës, kishte përplasje të forta për një pronë.

Viktima pretendonte për një sipërfaqe të madhe toke, të cilët aktualisht e posedon Lami. Konfliktet mes tyre kanë shkuar deri edhe në përplasje fizike.

Ervis Lami është një emër i njohur për policinë në vend, pasi vite me parë ai ndihmoi të dënuarin Admir Tafili që të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Prej asaj kohe, ai dyshohet të jetë përfshirë në krime të rënda. Ndërsa vitet e fundit ka qëndruar shpesh në Dubai.

Video