“Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj ka pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese Ilir Rrapaj të koncesionit të sterilizimit”, ky është një ndër informacionet që ka SPAK sa i takon dosjes që la sot në burg biznesmenin dhe ish-zv.ministrin, raporton gazetarja Glidona Daci.
Rrjepaj dhe Rrapaj kanë përfunduar studimet së bashku në fakultetin e Mjekësisë në vitet 1991-1994.
“A.LL drejtor në kompaninë koncesionare Saniservice përfundoi studimet bashkë me Rrapaj e Rrjepaj. Njohjen mes Rrapaj dhe Rrjepaj e konfirmoi një studente tjetër e atyre viteve me inicialet D.N.”, thotë SPAK në një njoftim jo zyrtar.
Bazuar në faktet e provat që ka mbledhur SPAK deri më tani, gazetarja e Klan News ka mësuar po ashtu se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj hynë në Shqipëri më datë 15 qershor të vitit 2014, kohë kjo që përkon me fazën përgatitore të koncesionit. Kjo provohet sipas SPAK nga këqyrja e faqes së ministrisë së asaj kohe ku është bërë një postim nga takimet e kryera mes palëve.
Në dosjen e SPAK për këtë aferë, thuhet se Rrjepaj dhe Rrapaj kanë dalë nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit më datë 24 nëntor të vitit 2016.