Censi i Popullsisë/ Kisha ortodokse nis fushatën: Tregoni identitetin tuaj fetar

16 Shtator 2023, 17:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese nga Tirana

Nga dita e hënë, datë 18 shtator 2023, dhe në 6 javët në vazhdim, në të gjithë vendin do të kryhet Regjistrimi/Censi i Popullsisë dhe Banesave.

Për këtë arsye, Kisha Ortodokse e Shqipërisë iu ka bërë thirrje besimtarëve që të identitetin “i/e krishterë Ortodoks”.

“Në këtë proces të rëndësishëm do të regjistrohen edhe të dhënat e përkatësisë së besimit fetar. Meqë kjo pjesë e Censit është lënë vetëm fakultative, tregoni vëmendje dhe përgjegjshmëri, duke kërkuar shënimin e identitetit tuaj fetar: “i/e krishterë Ortodoks”.

Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë fetare, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar”, shkruan në faqen e vet në Facebook Kisha Ortodokse e Shqipërisë.

Dy komunitete e tjera të mëdha fetare në vend, Komuniteti Mysliman dhe Kisha Katolike nuk kanë bërë thirrje të tilla.

 


Video