Trupa gjykuese u tërhoq në dhomë këshillimi për të shpallur vendimin për Fredi Belerin, i cili akuzohet për blerje votash.
Beleri lexoi deklaratën para shpalljes së vendimit: Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë gjatë gjyqit, ky është presion. Ky hetim dhe këto akuza janë sajesa qesharake.
Më tej, Beleri ka theksuar se Prokuroria ka sajuar prova, për të fshehur gabimet e policisë.
“Nga vëzhgimi 24 orësh që më është bërë, ka rezultuar se nuk jam takuar asnjëherë me dëshmitarin e prokurorisë. Të gjitha të vërtetat do të dalin në dritë.
Keni shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, të procesit të rregullt ligjor dhe të barazisë para ligjit. Vendimi për dënimin tim është marrë ne drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendim politik ishte edhe moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me 2 vjet e 6 muaj burg është diskriminues.
Të tjerë kryetar bashkish të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë. Sot, ju duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, jo dënimit pa prova, jo vendimit diskriminues.
Ju mund të jepni një vendim me rëndësi historike. Pres drejtësi!”, përfundoi Beleri.
Në GJKKO-s, ndodhet Beleri dhe avokati i tij, shoqëruar edhe nga mbështetës. Seancën po e ndjek dhe një përfaqësues nga ambasada greke.
Për Belerin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Fredi Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK ka kërkuar dy vite burgim, të cilat i janë konvertuar në 4 vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.