Avokati i Metës: Prokurori i SPAK u tërhoq nga akuza për lobim të paligjshëm nga ish Presidenti!

20 Qershor 2025, 14:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Seanca e kësaj të premte ndaj kreut të Partisë së Lirisë është shtyrë për më datë 26 qershor, pasi pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e reja të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Duke folur para mediave, avokati i zotit Meta, Kujtim Cakrani, tha se ka rënë akuza për lobimin në SHBA, pasi sipas tij ishte vetë prokurori që e tha këtë në seancë.

“Sot prokurori ka kërkuar që akuza sa i përket lobimit në SHBA nuk qëndron më. Prokurori e pranoi se lobimi ka rënë si vepër penale, pasi nga emailet që kanë ardhur nga Departamenti i Drejtësisë apo FARA vërtetohet që zoti Meta nuk ka kryer pagesën 100 mijë euro, siç është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro që është paguar dhe më pas është ndërprerë. Ky është një lajm shumë i mirë, këtë lajm e ka sjellë prokurori sot”, tha avokati i Metës.

Ai sqaroi dhe ecurinë e kësaj seance ku tha se prokurori i SPAK paraqiti 5 fashikuj, ku tre prej tyre sipas tij ishin përkthime për lobimin në SHBA.

“Sot u shty sepse unë kërkova të njihem me aktet e prokurorit dhe disa dëshmi. Prokurori thotë se po verifikon pasuritë e ish-vjehrrës apo ish-bashkëshortes së zotit Meta dhe nuk foli asgjë mbi zotin Meta. Dhe unë i thashë që s’kam lidhje me zonjën Kryemadhi, me nënën e saj, ia thashë këtë zotit gjyqtar. Zoti Meta nuk ka përdorur asnjë kartë, kartë ka përdorur ish-bashkëshortja e tij. U fol për çdo gjë, por vetëm për zotin Meta nuk u fol. Ne kërkuam kohën tonë të shqyrtojmë pretendimet e akuzës dhe kush është arsyeja që ai të qëndrojë në paraburgim”.

I pyetur nga një gazetare se pse zoti Meta nuk kërkon lirimin me garanci pasurore, avokati Cakrani u shpreh se s’ka si ta kërkojë kur ai s’ka pasuri fare.

“Meta s’ka pasuri, janë zero pasuritë e zotit Meta. Të marrin Elon Musk, t’i gjejnë pasuritë në Mars, e ka zero pasurinë. Zoti Meta s’ka çfarë garancie të japë, ai s’ka, s’i kërkon lirimin për të lënë pasuri sepse e ka zero pasurinë. Ka vetëm 1 të 4-tën e pasurisë së babait. Zoti Meta po mbahet aty për aludime. Nga kërkimet që ka bërë SPAK, ka kërkuar në Shqipëri, në Kanada, Qipro e kudo. Ka bërë letër-porosi dhe zoti Meta nuk disponon as pasuri të luajtshme, as të paluajtshme. Unë këtu bazohem. Ai po mbahet në paraburgim pa asnjë provë dhe fakt. Ky është thelbi. Sot bëjnë tetë muaj që i bëhet një inkuizicion presidentit të Partisë së Lirisë”.

Në mbyllje, Cakrani tha se nuk ka më prova për Ilir Metën dhe ai mbahet në burg me urdhër politik dhe ndaj Metës sipas tij po kryehet inkuizicion.

“E kuptoni? Nuk ka më prova për zotin Meta. Sot u fol aty për X, Ypsilonin… Ç’lidhje ka zoti Meta me analizat financiare të ish-it, ish-it dhe ish-it? Zoti Meta duhet të lirohet patjetër, sepse po mbahet në paraburgim nga një urdhër politik i Ayatollahut të Tiranës. Zoti Meta është në formë perfekte fizike dhe shëndetësore. Foli prokurori – ka sjellë një material 31 faqesh. Tani, në datën 26, ora 10:30, kemi seancën tjetër. Do flasim për ato që ka sjellë prokurori”, tha avokati i zotit Meta, Kujtim Cakrani.

Video