Arrestohet për herë të dytë ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe

2 March 2023, 15:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestohet për herë të dytë ish-kryebashkiaku i
Fatos Tushe

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe është arrestuar nga policia një ditë pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, ku iu shtua edhe një vit tjetër dënim me burg për favorizimin në tenderat.

Ai u lirua nga qelitë më 26 janar 2023 pasi mbaroi dënimin prej 2.4 vite burg të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në total, për të gjitha veprat penale ish-kryebashkiaku u dënua me 5 vite burg, që zbret në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Tani ka edhe 1 vit tjetër për të qendruar pas hekurave.

Sipas SPAK, Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.

Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.


Video