
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në rubrikën Sy m’Sy.
Kreu i qeverisë u shpreh se kritikat e tij nuk janë sulm ndaj organeve të drejtësisë, por sipas tij, ka për qëllim të ndihmojë drejtësinë të konsolidohet.
Rama u shpreh se, “pavarësia më duket se është shalqi me provë kur thotë populli”, duke shtuar se “qartësisht burimi i një vetëbesimi të SPAK dhe GJKKO”.
Edi Rama: Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë.
E di ti, Gjergj ku ndryshon një gjyq në diktaturë, në autokraci apo një gjyq në demokraci?
Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit.