Amnesty International dënon “patronazhistët” dhe skandalin e pagave

31 March 2022, 17:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Amnesty International dënon “patronazhistët” dhe skandalin
Gjate nje proteste ne Tirane kunder rritjes se çmimeve

Amnesty International në raportin për vitin 2021/2022 ka dokumentuar shkeljet kryesore të të drejtave të njeriut edhe në Shqipëri.

Rrjedhja e të dhënave të mbi 900.000 qytetarëve në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve në prill të vitit 2021 është një ndër shkeljet e përmendura në raportin e Amnesty International.

“E drejta e privatësisë së afro 900 mijë qytetarëve është dhunuar”, – shkruhet në raport. Amnesty e konsideron këtë databazë të paligjshme, ndërkohë që thekson se të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë janë përdorur për qëllime elektorale nga Partia Socialiste.

Ky raport informon se 162 qytetarë e kanë paditur Partinë Socialiste për shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Në dhjetor, dy baza të tjera të të dhënave u zbuluan, duke shkaktuar zemërim publik. Ata mbanin të dhëna personale si pagat, vendet e punës dhe llojin e makinës në pronësi të më shumë se 600,000 taksapaguesve”, – theksohet në raportin e Amnesty International.

Sa i përket dhunës ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri, Amnesty International sjell në vëmendje numrin e urdhrave mbrojtjes për vitin 2021.

“Deri në fillim të dhjetorit, ishin lëshuar 2754 urdhra mbrojtjeje. Këto nuk janë zbatuar si duhet”, – shkruhet në raport.

Duke iu referuar vrasjeve në total, Policia e Shtetit ka njoftuar se nga te gjitha vrasjet e bëra në Shqipëri gjatë vitit 2021, 30% e tyre janë femicid, gra të vrara nga partnerët e tyre. Ky raport nxjerr në pah dhe rastin e Liljana Buzos, gruas e cila në muajin maj u vra në dyert të gjykatës, pasi po ndiqte procedurat për t’u divorcuar nga bashkëshorti.


Video