Gazetarja Anila Hoxha, e ftuar në emisionin “Top Story” për të diskutuar se kush do të jetë kreu i ri i SPAK, ka folur fillimisht për garën për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Drejtuesi i ri i BKH-së duhej të ishte në krye të detyrës që më 1 shtator, por procesi është zvarritur.
"Në Prokurorinë e Posaçme ka dy zhvillime që presin drejtuesit. Drejtuesin e BKH, figurë që duhet të ishte në krye të detyrës më 1 shtator, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të zvarritjes së procedurave.
Aktualisht po shqyrtohen nga Komisioni për Çështjen e Figurës dhe Pasurisë dhe emrat nuk janë kthyer ende pasi tre prokurorë që do vendosin, që konsiderohen komision përzgjedhës, do propozojnë pranë KLP. Kjo e fundit vendos kush do jetë drejtori i BKH.
Gara ka kapërcyer çdo afat të mundshëm. BKH nuk e pati drejtuesin e dytë të vet brenda afateve. Jemi ende në pritje, proces që vazhdon të jetë në situatë verifikimi”, tha Hoxha.
Aida Hajnaj u largua nga drejtimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi i përfundoi mandati pesëvjeçar.
Ndwrsa ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla ka zbuluar sonte në “Top Story” përplasjet mes dy institucioneve të larta të drejtësisë, SPAK dhe BKH.
Balla se për pesë vite që Aida Hajnaj drejtoi Byronë e Hetimit, kishte disa pretendime por nuk morën zgjidhje. Ai tha se për të zgjidhur këtë përplasje, ndërhynë edhe ndërkombëtaret.
“Unë uroj të ulet ky tension se ka qenë i padobishëm dhe jashtë çdo logjike. Ligji i ka ndarë qartë kompetencat, ku BKH është në dispozicion të hetimit dhe varet nga Prokuroria e Posaçme. Pati dhe një ndërhyrje nga ndërkombëtarët.
Për 5 vite zonja Hajnaj drejtori mirë Byronë e Hetimit, kishte disa pretendime në lidhje me hetimin, me përgjimin parandalues, apo me kompetencat. Këto nuk morën ndonjë trajtim fundor ligjor. Për të mirën e punës nuk ia vlen të ketë tensione të tilla”, u shpreh ish kreu i KLP.